Krimi Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetim për të zbuluar autorin që ka dërguar e-mail në disa media me biseda të aplikacionit "SkyECC", në të cilat shfaqen biseda të Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.
Në këto biseda mes dy personazheve të krimit flitet për të paguar kreun e grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi me 100 mijë euro për fushatën. Këto e-maile u denoncuan edhe nga vetë Gazment Bardhi në SPAK, ku kërkoi identifikimin e autorit që ia ka dërguar nën emrin anonim “Mbreti Zog”.
“Emaili i nisur bashkë me materialet e supozuara të komunikimit në aplikacionin e koduar, të zbardhura nga oficerët e policisë gjyqësore në SPAK, mban emrin "Mbreti Zog", ndërsa është nga një domain jo i zakonshëm. Bëhet fjalë për e-mail "Proton Mail", një shërbim i koduar, i cili ka nivel të lartë sigurie. Me origjinë zvicerane, "Proton Mail" është shërbim i koduar, i cili përdor kriptim nga përdoruesi për të mbrojtur të dhënat përpara se të dërgohen në serverat e "Proton Mail", ndryshe nga kompanitë e zakonshme të shërbimit e-mail "Gmail", "Outlook", e më gjerë”, thuhet në njoftimin e Krimit Kibernetik
Duke qenë një e-mail i kriptuar, Krimi Kibernetik po has vështirësi për gjetjen dhe gjurmimin e dërguesit të këtyre e-maileve.
Një ditë më parë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi denoncoi në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion se në platformën e komunikimit “Signal”, i kanë ardhur mesazhe kërcënuese dhe dokumente të falsifikuara nga një përdorues me emrin “Mbreti Zog” .
/rtsh.al/