Kreu i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur kryeministrin Edi Rama në kuadër të turit ballkanik që ky i fundit nisi ditën e sotme. Takimi është përqendruar kryesisht për zhvillimet në veri të Kosovës për të cilat Konjufca ka deklaruar se ndihma e Shqipërisë është e pazëvendësushme, ndërsa ka nënvizuar se kryeministri Rama mund të bëjë shumë më shumë nga sa po bën aktualisht.
Ai ka kërkuar që kryeministri Rama të mos e shohë si fajtore Kosovën lidhur me krizën në veri, por si një vend që kërkon rend dhe ligj.
“Ne biseduam për zhvillimet në vend, për situatën politike, për ndihmën që e presim nga qeveria Rama, për të gjitha këto procese të vështira që po kalojmë.
I tregova që ndihma e Shqipërisë, është e pazëvendësueshme dhe Rama mund të na ndihmojë shumë më shumë se po e bën aktualisht, që republikën e Kosovës, në përpjekjet tona që janë shtetërore dhe kushtetuese, për të vendosur rend dhe ligj, të mos e shohin Kosovën fajtore, këtu nuk ka fajtor, këtu mund të ketë përgjegjësi”, është shprehur Konjufca.
Ai ka theksuar se Kosova nuk ka probleme shtetërore me Shqipërinë, por shtoi se problemet kanë ardhur nga Shqipëria, ku u anulua edhe mbledhja e pwrbashkwt e dy qeverive.
“Rama ishte i shqetësuar sa i përket presionit ndërkombëtar, por mua ma la përshtypjen se ai po e përjeton presionin më shumë se ne. Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë.
Problemi ka ardhur nga ana e Shqipërisë, ata pa kurrfarë arsye madhore e anuluan një mbledhje të shumëpritur nga qytetarët e Kosovës, mbledhjen e dy qeverive. Nuk mendoj që është hakmarrje”, tha ai.
/rtsh.al/