RTSH 24 Live

Ekonomi

11 % më shumë të ardhura për 10-mujorin e parë të 2024. Rriten dhe shpenzimet

26/11/2024

11 % më shumë të ardhura për 10-mujorin e parë të 2024. Rriten dhe shpenzimet

Të ardhurat totale të shtetit për periudhën Janar-Tetor 2024 arritën në 589 miliardë lekë, duke përmbushur 99.8% të planit të parashikuar për këtë periudhë, dhe duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja më e madhe u regjistrua nga mbledhja e të ardhurave tatimore dhe doganore, të cilat arritën në 513 miliardë lekë, për një realizim të planit prej 99.98%.

Ndër komponentët kryesorë të të ardhurave, TVSH në import regjistroi një rritje prej 6% duke arritur në 128 miliardë lekë, ndërsa akciza shënoi një rritje prej 9.3%, duke arritur në 52.5 miliardë lekë.

Performanca e të Ardhurave për periudhën 10-mujore 2024, konkretisht:

  • Të ardhurat totale: 513 miliardë lekë, 10% më shumë krahasuar me periudhën Janar-Tetor 2023.
  • Të ardhurat doganore: 190.4 miliardë lekë, rritje prej 6.4%.
  • TVSH në import: 128 miliardë lekë, rritje prej 6%.
  • Akciza: 52.5 miliardë lekë, rritje prej 9.3%.
  • Renta minerare në eksport: 2.4 miliardë lekë, realizim 105% të planit.
  • Taksat doganore: 7.4 miliardë lekë, realizim 96.5% të planit.
  • Të ardhurat tatimore (TVSH neto, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale): 189 miliardë lekë, rritje prej 12.6%.
  • TVSH e arkëtuar (neto): 49 miliardë lekë, rritje prej 21.7%.
  • Tatimi mbi fitimin: 47 miliardë lekë, 0.4% më shumë se plani.
  • Tatimi mbi të ardhurat personale: 54.9 miliardë lekë, rritje prej 13.5%.
  • Taksat nacionale: 37.8 miliardë lekë, rritje prej 21.6%.
  • Fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore: 133.4 miliardë lekë, rritje prej 11.2%.

Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 10-mujore 2024 arritën në 517 miliardë lekë, duke përmbushur 91.7% të planit për këtë periudhë. Shpenzimet e përgjithshme u rritën me 7.1%, ose rreth 33 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Shpenzimet korente për periudhën Janar-Tetor 2024 shënuan një rritje prej 8.1%, duke arritur në 462.9 miliardë lekë, krahasuar me vitin e kaluar.

/rtsh.al/