RTSH 24 Live

Ekonomi

Ambasadori Gonzato takohet me Sejkon, vlerëson anëtarësimin në SEPA

22/11/2024

Ambasadori Gonzato takohet me Sejkon, vlerëson anëtarësimin në SEPA

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim Ambasadorin e BE në Shqipëri, Gonzato ku u diskutua lidhur me progresin e bërë nga Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballen vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, duke skicuar, njëkohësisht, qasjen e Komisionit Evropian për të udhëhequr dhe mbështetur procesin e zgjerimit.

Ambasadori Gonzato përgëzoi Guvernatorin për pranimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA . Ai theksoi se me këtë anëtarësim, Banka e Shqipërisë përmbush me sukses një ndër ambiciet e saj kryesore në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Ndërkohë që Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë gjykon se reformat e gjithanshme rregullatore, ligjore e institucionale të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, ofrojnë një platformë të plotë dhe konsistente për adresimin e sfidave.

Ambasadori vlerësoi rolin e bankës për progresin e bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Ambasadori Gonzato konfirmoi vullnetin për të rritur më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen e BE-së për Bankën e Shqipërisë nëpërmjet asistencës teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror dhe ndërmarrjes së projekteve të përbashkëta në të ardhmen.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/