RTSH 24 Live

Sociale

Gjirokastra me pishina të sigurta, frekuentohen rregullisht nga fëmijët dhe të rinjtë

25/07/2024

Gjirokastra me pishina të sigurta,  frekuentohen rregullisht nga fëmijët dhe të rinjtë

Për të gjithë ata që e kanë detin larg pishinat janë një mundësi e mirë për të kaluar të nxehtin e verës dhe për të marrë rreze dielli. Në këto ditë ato janë kthyer në një oaz freskie dhe qetësie kryesisht për fëmijët dhe të rinjtë gjirokastritë.

Në to gjen edhe grupe turistësh që e alternojnë  qëndrimin disa ditor  në qytetin e gurtë mes objekteve të trashëgimisë sonë kulturore dhe relaksit që të ofrojnë pishinat.

 “Vijmë nga Spanja. Pasi shëtitëm në pjesën veriore të Shqipërisë erdhëm në Gjirokastër. Kërkuam në Google ku ka lum apo pishina dhe erdhëm këtu. Është bukur dhe po kalojmë disa orë së bashku pasi është shumë nxehtë“, u shpreh një turiste.

Cilësia e shërbimit ndaj klientëve është prioritet për administratorët. Janë vetë ata që  kontrollojnë parametrat e ujit dhe kryejnë rregullisht pastrimin e pishinës.

“Mundohemi që të  jemi korrekt me pastërtinë me mirëmbajtjen. Kemi 3 lloje ilaçesh të cilat i përdorim siç është klori, ilaçi i cili rregullon PH-in e klorit që të mos ndikoj në rënien e flokëve te njerëzit dhe ilaçi që shpërbën algat, myshqet etj”, u shpreh Gabriel Koko, menaxher.

Në Gjirokastër funksionojnë tri pishina. Këto ambiente çlodhëse e argëtuese sipas specialistëve të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor mund të frekuentohen pa frikë pasi nga kontrollet e herëpashershme ka rezultuar se gjithçka është brenda parametrave.

/RTSH/