RTSH 24 Live

Sociale

Gjirokastër, "Thoma Papapano", shkolla që përgatit profesionistët e së ardhmes

19/04/2021

Gjirokastër, "Thoma Papapano", shkolla që përgatit profesionistët e së ardhmes

Mbi 70% e nxënësve që kanë mbaruar studimet në shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano” janë punësuar pranë bizneseve ku kanë zhvilluar praktikat profesionale. Kjo është një nga arsyet pse të rinjtë duhet ta ndjekin këtë shkollë në të katër drejtimet që ajo ofron: Shërbime në Mjete Transporti, Elektroteknikë, Instalues i Sistemeve Termohidraulike dhe TIK. Drejtoresha e shkollës Renata Puleri në një prononcim për RTSH Gjirokastra rendit pikat e forta të cilat e bëjnë këtë institucion arsimor të kërkuar nga të rinjtë.

“ Së pari, dua të them se kjo shkollë ofron kushte bashkëkohore mësimdhënie. Është e pajisur më gjithë laboratorët dhe kabinetet në funksion të aftësimit teorik dhe praktik të nxënësve. U rregulluan dhe kushtet e konviktit. Akomodimi i tyre është i rendësishëm, pasi ata vijnë nga zona të ndryshme të jugut. Në vitin e III dhe të IV  praktikat profesionale zhvillohen pranë bizneseve. Nxënësit që përfundojnë këtë shkollë pajisen jo vetem me diplomë të maturës shtetërore, por edhe me çertifikata, të nivelit të parë, të dytë dhe të tretë të cilat i kualifikojnë këta nxënës si punëtorë të kualifikuar, si specialist në një drejtim të caktuar dhe si menaxher të mesëm për drejtimin mësimor ku kanë studiuar.” - thotë Puleri.

Gjatë këtij muaji, nga kjo shkollë janë zhvilluar takime në të gjithë qarkun, me nxënës të klasave të nënta, për promovimin e arsimit profesional, si një mundësi e artë për të hyrë shpejt në tregun e punës.