RTSH 24 Live

Kulturë

Gati për Junior Fest, Bojken Lako në zbulim të “heronjve” të rinj

25/07/2023

Gati për Junior Fest, Bojken Lako në zbulim të “heronjve” të rinj

Ka nisur puna për Junior Fest prej nga përzgjidhet kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest 2023. Drejtori i Programeve në Radio Tirana, Bojken Lako, në drejtim të ekipit që po punon për edicionin e këtij viti të Junior Festit, në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu, shpjegon: “Po punojmë me një strategji të veçantë. Nga këtej e në vazhdim Junior Festi do të jetë një urë lidhëse e talenteve të reja në fushën e vokalistikës, të cilët përmes programeve të ndryshme promovuese që do të fillojnë së shpejti në RTSH, të mbërrijnë tek eventi kryesor i muzikës që është ‘Festivali i Këngës.”

Risia e këtij edicioni të Junior Festit është vëmendja që do t’u jepet jo vetëm interpretuesve të rinj por edhe talenteve në kompozim. “Krijimet e të rinjve duhet të kenë një ndjesi të re, të jenë krijuar nga të rinj. Fokusi ynë këtë vit është që ne të kemi më tepër materiale ideore, sikur edhe të papërfunduara, por për të krijuar një shije të muzikës së krijuar nga të rinjtë dhe të orkestruar nga orkestrues me eksperiencë. Kështu mundemi të puqim talentet e reja të kompozimit me orkestrues të mirë e të afirmuar që të sjellin një material muzikor pak më ndryshe, që buron nga të rinjtë. Do të ndihmojmë artistët e rinj me asistencë teknike. Radio Tirana do jetë një mbështetëse shumë e madhe në pjesën teknike të realizimit të këngëve.”

Sipas Bojken Lakos, fryma e re në muzikë nuk krijohet me një shkop magjik. “Kjo është një strategji afatgjatë për të krijuar një zinxhir shumë të mirë të industrisë muzikore. Duhet të futen në treg kompozitorë dhe orkestrues të rinj, me ndjesi të reja, me orientim drejt frymës së re dhe tingullit të ri. Do të fuqizojmë tregun muzikor me kompozitorë të rinj dhe produkte të reja.”

Slogani i Junior Eurovision Song Contest këtë vit është “Heroes” (Heronjtë). Këngëtarja Ana Kodra, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian për Fëmijë e të Rinj në vitin 2017, është zgjedhur si imazh. “Ana është një heroinë e vetvetes, një model i krijuar falë punës dhe talentit të saj. Është simbol i të rinjve dhe moshatarëve të vet. Është një thirrje e Anës që të rinjtë të marrin pjesë në këto programe që promovojnë talentet dhe u japin atyre mundësi për të kaluar në një urë lidhëse midis popullaritetit të vendit të tyre dhe jashtë tij. Ana është një nga talentet më të jashtëzakonshme. Pikënisja dhe trampolina e saj ishte Junior Festi”.

Një tjetër risi, pjesë e strategjisë së përcaktuar është që Junior Festi të jetë më komunikues në rrjetet sociale. Gjithashtu artistët e rinj do të kenë hapësira promovuese edhe në RTSH. “Radio Tirana në platformën e vet e ka shndërruar kanalin e dytë vetëm për promovimin e të rinjve. Të rinj që duan të promovohen, të tregojnë veten e tyre, të këndojnë ‘covers’ të ndryshëm ‘live’ nga studio e Radio Tirana 2, për të qenë pjesë e një databaze artistësh të rinj si  mundësi për t’u promovuar.”

Thirrja për pranimin e këngëve në garën e Junior Festit është çelur dhe zgjat deri në datën 25 gusht. “Të rinjtë që do të përzgjidhen do të kenë mundësi të bëjnë prova në studiot e Radio Tiranës për të përmirësuar performancën e tyre ‘live’, ku do të punojnë me ‘vocal coach’ (trajnues vokali) që të paraqiten sa më mirë në natën finale.”

Junior Eurovision Song Contest do të mbahet më 26 nëntor në Nice të Francës. Shqipëria për herë të parë ka marrë pjesë në vitin 2012 me këngëtaren Igzidora Gjeta. Rezultati më i lartë është vendi i pestë në vitin 2015 me këngëtaren Mishela Rapo. Këtë vit shënohet prezantimi i nëntë i Shqipërisë në këtë festival.

/rtsh.al/