Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan pas takimit “tetë a tetë” të mbajtur në Kryeministri, kanë firmosur deklaratën e përbashkët për fillimin e partneritetit strategjik dhe Turqisë përmes krijimit të një këshilli bashkëpunimi të nivelit të lartë.
Një sërë marëveshjesh bashkëpunimi janë firmosur gjithashtu edhe mes disa ministrive në bujqësi, arsim dhe në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin, por ajo e cila u konsiderua si më e rëndësishme nga kreu i qeverisë shqiptare, është marrëveshja për hapjen e Universitetit Teknik të Stambollit në Tiranë.
"Ne firmos disa marrëveshje ku më e rëndësishmja nga ana jonë ishte ajo për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë. Është diçka që do të sjellë një hapësirë të re studimesh të nivelit të lartë botëror", deklaroi Rama.
Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, nënshkroi me homologun turk, Ibrahim YUMAKLI, deklaratën “Mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi”, duke shënuar një etapë të re në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në këtë fushë.
Deklarata e nënshkruar synon të sjellë një model të ri sigurimesh për bujqësinë shqiptare, të ngjashëm me Fondin e Sigurimeve Bujqësore të Turqisë (TARSIM). Ky bashkëpunim pritet të sjellë përfitime të rëndësishme për fermerët shqiptarë, duke siguruar mbështetje më të fortë financiare dhe një mjedis më të qëndrueshëm për sektorin bujqësor.
Ky bashkëpunim krijon një kornizë të re për shkëmbime institucionale dhe për thellimin e marrëdhënieve në fushën e sigurimeve në bujqësi, me një impakt konkret dhe të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Shqipëri.
Rëndësia e kësaj marrëveshjeje është garantimi i mbështetjes së nevojshme për fermerët shqiptarë dhe për rritjen e mundësive të tyre për përballimin e sfidave në bujqësi.
Deklarata e nënshkruar sot i hap rrugë thellimit të bashkëpunimit dhe pritet të sjellë përfitime të ndjeshme në zhvillimin rural në vendin tonë.
Po ashtu, u nënshkrua protokoll ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri.
Memorandum Mirëkuptimi u firmos edhe ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin.
/rtsh.al/