Festivali 62 i Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar shpalli këtë javë pjesëmarrësit për eventin më të rëndësishëm muzikor të fundvitit.
Janë 31 këngë të konfirmuara mes 77 të tillave që u përzgjodhën nga një juri profesioniste. Procesi ishte i fshehtë për të shmangur anësinë apo favorizimin e artistëve të caktuar.
Në "Jetë shqiptare" në RTSH, drejtori artistik i Festivalit, Bojken Lako, informoi se këtë fundvit janë rikthyer shumë artistë dhe emra të rinj.
"Kemi një hapësirë të madhe për artistët e rinj, grupe muzikore, rryma të ndryshme, një panoramë të bukur të muzikës shqiptare, duke ruajtur traditën dhe duke propozuar muzikë të re, duke i dhënë më tepër vlerë skenës muzikore," tha z. Lako, i kënaqur nga pjesëmarrja.
Prurjet muzikore sivjet janë afër atyre maksimaleve ndër vite, dhe raporti sasi-cilësi është ruajtur.
Sipas z. Lako, përzgjedhja e fshehtë ka bërë që të dalin këngët më të mira dhe profesionale.
"Kjo është risia e këtij viti. Duke u konsultuar, anëtarët e komisionit pranues kanë dëgjuar këngët, materialet në konkurs me numra dhe jo me emra këngëtarësh, për të qenë të lirshëm në përzgjedhje. Risi tjetër: kemi pasur dy poete për tekstet si anëtare të komisionit. Ne duam të përmirësojmë nivelin e muzikës," shtoi z. Lako.
Përveçse më i drejtë në përzgjedhje, Festivali 62 ka përparuar këtë vit edhe për sa i përket komunikimit, me një staf më të shpejtë, transparent, dhe më aktiv në rrjetet sociale.
Rrymat në konkurrim do të jenë të ndryshme.
"Ka edhe balada. Është një raport i balancuar me këngë të rrymës rrok, muzikë alternative, ndjesi të muzikës elektronike. Përshtatja me orkestrën simfonike do të japë mundësinë që të ngjizen mirë dhe më veçantë me formën e këngës," deklaroi artisti Lako.
Një nga veprimtaritë e jetës së tij profesionale është edhe promovimi i artistëve të rinj. Ata do të ndahen në kategoritë e artistëve debutantë dhe jodebutantë.
Ndërsa votimi për Festivalin e 62-të do të bëhet sipas një formule që do të përfshijë edhe publikun.
"Një pjesë e risisë ishin dhe seancat e hapura që organizuam me ndjekës, grupe të ndryshme. Kjo formulë do e rregullojë nivelin. Për të përfshirë publikun ne krijuam këtë formulë. Mbase ajo do të përmirësohet që peshën më të madhe ta mbajë publiku, 60-40," tha z. Lako në "Jetë shqiptare".
/rtsh.al/