Kryeministri Edi Rama i ka dhënë përgjigje komentuesve në rrjetet sociale në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme (16 janar), kur një foshnjë 1-vjeçare e një familjeje nga Gaza u transportua për ndihmë urgjente mjekësore në Spitalin Pediatrik të Tiranës.
Kreu i qeverisë bën me dije se kërkesa erdhi nga partnerët ndërkombëtarë, duke e vlerësuar shërbimin pediatrik në vend.
“Familja nga Gaza që e mikpritëm për t'i dhënë ndihmë urgjente mjekësore fëmijës së tyre 1 vjeç.
Ajo familje erdhi me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë dhe si rezultat i vlerësimit për shërbimin tonë pediatrik. Disa familje u çuan në disa vende të Evropës ku shërbimi pediatrik vlerësohet”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri me dije se çdo vit në Shqipëri kurohen në pediatritë e vendit, përafërsisht 46 mijë fëmijë.
“Çdo vit në Shqipëri kurohen në pediatitë tona 46 mijë fëmijë. 15 mijë prej tyre në QSUT. Operohen rreth 2400 fëmijë me sukses të plotë në QSUT.
Çdo vit ne çojmë 25 fëmijë jashtë vendit, shumë më tepër se gjithë shoqatat bashkë”, sqaroi ai.
/rtsh.al/