Holanda mposhti 2 me 1 Turqinë duke kaluar në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian ku do të ndeshet me Anglinë e cila po sot kaloi Zvicrën me penallti.
Holanda do të ndeshet me Anglinë në Dortmund për të gjetur një vend në finalen e Euro 2024.
Në ndeshjen e mbrëmjes së sotme ishte Turqia fillimisht që kaloi në epërsi në pjesën e parë me anë të Samet Akaydin. Në pjesën e dytë pavarësisht inkursioneve dhe shanseve të Turqisë, Holanda u tregua më kërkuese duke gjetur golin e barazimit me anë të Stefan de Vrij dhe pak minuta më pas erdhi autogoli i Mert Müldür duke përmbysur shifrat për skuadrën e Ronald Koeman.
Loja filloi me një ritëm të furishëm, duke u përshtatur me atmosferën e zjarrtë dhe të zhurmshme në Berlin. Njëri prej tyre ishte presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili shikonte nga tribuna pavarësisht përplasjes diplomatike për gjestin e Merih Demiral në ndeshjen e kaluar.
Demiral u dënua me dy ndeshje për shkak të simbolit të “Ujkut gri”, e cila lidhet me ekstremin e djathtë të Turqisë, ndërsa festonte fitoren e skuadrës së tij të martën ndaj Austrisë.
Popullsia e madhe e diasporës turke në kryeqytetin e Gjermanisë e ka bërë këtë të ndihet si një turne në shtëpi për ekipin e tyre, ndërsa tifozët optimistë holandezë kanë qenë gjithashtu një pikë kyçe në këtë ndeshje.
Pavarësisht intensitetit të ndeshjes, asnjëra prej skuadrave nuk mundi të arrinte të godiste portën në gjysmën e pjesës parë. Gjithçka ndryshoi pak më vonë, falë një loje mahnitëse nga lojtari i ri i turneut, Arda Güler, i cili dha një pasim perfekt për Samet Akaydin, i cili me kokë e dërgoi topin në rrjetë.
Megjithëse Turqia kaloi në avantazh, ajo zgjodhi të mos mbrohej por të sulmonte mbrojtjen holandeze. Nga ana e saj Holanda ngulmoi duke mundur të përmbysë shifrat në 2 me 1 për të kaluar në gjysmëfinale.
/rtsh.al/