Ditën e nesërme do të publikohet drafti i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama gjatë Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe.
Kryeministri tha se fjalori do të hidhet për konsultim të gjerë publik si pjesë e një “rezistence” për të mbrojtur gjuhën shqipe.
"Barbarizmat në fjalor dhe sintaksë na bëjnë që të jemi të alarmuar dhe të bëjmë çmos për të rezistuar. Është e pamundur të jemi në sulm, sepse furia e gjithë kësaj brabarie dhe dëlirëve është shumë e fortë dhe mbështetet në atë të vërtetën e thjeshtë që populli e ka thënë ‘kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta nuk ka veshur pantallonat’. Të rezistojmë e kemi të domosdoshme. Sot më vjen mirë se si pjesë e kësaj rezistence mund të themi që jemi në momentin historik sa i përket prezantimit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, që më në fund përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave.
Nesër do prezantohet publikisht edhe drafti i këtij Fjalori. Do hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren opinionet dhe sugjerimet, vërejtjet, kontributet, që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si produkte të përbashkëta të një rezistence të domosdoshme dhe një përpjekjeje që ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm, se jemi nën agresionin e barbarisë dhe gjithfarëlloj injorantësh, që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale. E kemi detyrim të patjetërsueshëm të jemi në mbrojtje dhe të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit”, tha Rama.
/rtsh.al/