RTSH 24 Live

Euro 2024

Finalja e madhe e Berlinit, Spanja dhe Anglia kërkojnë të shkruajnë historinë e Europianit

14/07/2024

Finalja e madhe e Berlinit, Spanja dhe Anglia kërkojnë të shkruajnë historinë e Europianit

Spanja dhe Anglia do të zbresin sonte në fushë për të kërkuar triumfin në Kampionatin Europian që do të vendoset në “Olympiastadion” të Berlinit.

Finalja e sotme shënon edhe epilogun e një muaji plot emocione dhe sfida, ku Spanja dhe Anglia arritën të prekin finalen ku do të kërkojnë të shënojnë emrin e tyre në librin e historisë së Europianëve.

Spanja kërkon ta fitojë këtë trofe për herë të katërt ndërsa Anglia pas dështimit në Europianin e kaluar lufton për të triumfuar për herë të parë në një kompeticion të madh fubollistik që pas fitores së Kupës së Botës në vitin 1966.

Për të arritur këtë, trajneri Gareth Southgate do të hedhë në fushë formacionin e tij më të mirë në finalen historike të Euro 2024 kundër Spanjës.

“Tre Luanët” kërkojnë t'i japin fund pritjes 58-vjeçare për triumfin e turneut të madh europian pas fitores dramatike 2-1 ndaj Holandës në gjysmëfinalen e së mërkurës mbrëma.

Në këtë mënyrë, sa i përket lojtarëve që Southgate ka në dispozicion, Kieran Trippier e filloi ndeshjen në anën e majtë të mbrojtjes, siç ka bërë gjatë gjithë turneut, ndërsa Luke Shaw është rikuperuar nga një problem që ka pasur së fundmi.

Ai u ndërrua në pjesën e parë dhe Southgate sugjeroi më pas se tërheqja e hershme e Trippier nuk kishte qenë thjesht taktike.

Nuk donim të rrezikonim. Kishim në mendjen tonë që ta sillnim Lukën në lojë në një moment dhe të vendosnim se sa do të zgjaste. Do të shohim se si është Tripps, por ai ka qenë ushtar i bindur”, tha Southgate.

Megjithatë, duke folur me gazetarët në prag të ndeshjes, Southgate zbuti çdo frikë duke thënë se “të gjithë janë në formë”.

Shaw u rikthye vetëm pas pesë muajsh në fushë si një zëvendësues i vonë në fitoren çerekfinale ndaj Zvicrës, por raportet këtë pasdite tregojnë se ai do të jetë titullar për finalen e sotme në Berlin, tre vjet pasi shënoi golin e parë në finalen e fundit kundër Italisë.

Diku tjetër, pavarësisht frikës për lodhjen mes një kthese të shpejtë mes ndeshjeve, Southgate ka të ngjarë të qëndrojë me të njëjtën 11-të.

Harry Kane duhet të mbetet në ekip, përpara heroit të gjysmëfinales Ollie Watkins, me Jude Bellingham dhe Phil Foden si mbështetje për sulmin.

Bukayo Saka do të rreshtohet në krahun e djathtë në një rol më të thellë. Kobbie Mainoo ka fituar vendin e tij në formacion duke qenë një zëvendësues që në fillimin e Euro 2024 dhe ai do të jetë krah për krah me Declan Rice në mesfushë.

Ndërkaq, Jordan Pickford do të mbetet në portë, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohet Kyle Walker, John Stones dhe Marc Guehi, të cilët u rikthyen në 11-she kundër holandezëve pas një pauze në çerekfinale.

Formacioni i pritshëm i Anglisë: Pickford; Walker, Stones, Guehi; Saka, Mainoo, Rajs, Shaw; Foden, Bellingham; Kane

Nga ana tjetër, për trajnerin De La Fuente ka qenë më e lehtë për të bërë formacionin titullar të Spanjës, ku janë janë kthyer nga pezullimi Karvahal dhe Le Normand, me të dy që do të luajnë nga minuta e parë.

Për herë të parë në historinë e një finaleje të Kampionatit Europian, De La Fuente ka zgjedhur një formacion titullar ku përfaqësohen 10 klube të ndryshme.

Formacioni i pritshëm i Spanjës: Unai Simon, Karvahal, Le Norman, Laport, Kukureja, Rodrigo, Fabian Ruiz, Dani Olmo, Jamal, Uilliams, Morata.
Trajner: 
Luis De La Fuente

/rtsh.al/