Avokati i Erdgys Arrazit, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jetë Shqiptare” ka deklaruar se ka qenë vetë klienti i tij ai i cili ka bërë denoncimin në polici për zhdukjen e bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tyre.
Avokati thekson se klienti i tij është i traumatizuar nga ngjarja tragjike, ndërsa thekson se çifti nuk ka qenë në proces divorci.
“Erdgysi nuk është i akuzuar për shkak të dyshimeve të prokurorisë. e ka ndaluar më 5.5.2024. Arrazi është i padënuar.
Ka shkuar që më datë 2 në polici për të dhënë shpjegime e për tu interesuar për fatin e 3 fëmijëve të tij. Ka pasur bashkëpunim për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e vajzës e ka bërë ky shtetas. Sot bile ka dhe varrimin e saj.
Ai aktualisht është i traumatizuar se të humbësh 3 fëmijë, është një prej ngjarjeve më të rënda që mund ti ndodhë një njeriu. Ai ka qenë bashkëshort i mirë, i rregullt, I vetmi që ka mbajtur familjen për të siguruar një jetë sa më të mirë.
Pretendimi i gjendjes shëndetësore të shëndetit mendor të Almës do verifikohet gjatë fazës hetimore.
Klienti nuk ka qenë në proces divorci. Shtetasin e njoh dhe personalisht, madje jo më larg se të premten tjetër kam pirë kafe me të, ka qenë dhe me shoqen me fëmijët në makinë”, tha ai për mikrofonin e RTSH.
Avokati u ndal më tej edhe te pretendimet mbi gjendjen e shëndetit mendor të Alma Arrazit, duke bërë me dije se mamaja e Erdgysit i ka sjellë herë pas herë medikamente nga Italia.
“Vetë e ëma e Ergysit ka sjellë herë pas here nga Italia ilaçe që janë më cilësore për t’ia dhënë shtetases në fjalë, për trajtimin që ka pasur.
Janë fakte të mjaftueshme”, shtoi ai.
Sa i përket pretendimeve mbi klientin e ti për dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, avokati theksoi se në rast se ka dokumentacion ligjor mbi këtë gjë, prokuroria do kërkojë dërgimin e Erdgysit në gjyq dhe deklarimin e tij fajtor.
“Në rastin konkret nuk bëhet fjalë për rrethana lehtësuese, por për rrethana përjashtuese ose implikuese. Në rast se ka dokumentacion ligjor prokuroria për ta paraqitur në gjykatë se ky shtetas ka ushtruar dhunë, atëherë do kërkojë dërgimin gjyqit dhe deklarimin fajtor”, theksoi ai.
Vetëm tre ditë pas zhdukjes së Alma Arrazit së bashku me tre fëmijët e saj, një prej të miturve, vajza 9-vjeçare e familjes Arrazi u gjet e pajetë në ujërat e lumit Buna nga një peshkatar.
Prej ditës së djeshme, polumbarët, së bashku me FNSH, RENEA po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave të 39-vjeçares dhe dy fëmijëve të tjerë.
/rtsh.al/