Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, u mor në pyetje nga SPAK për disa biseda të zbardhura në aplikacionin SKY ECC, për të cilat po hetohet edhe ish-deputeti Jurgis Çyrbja.
Ai u soll nga Durrësi për në Prokurorinë e Posaçme, i shoqëruar nga një patrullë policie, pasi po qëndron me masën e arrestit në shtëpi për një tjetër gjykim në lidhje me disa abuzime kur drejtonte bashkinë e qytetit bregdetar. Brenda në SPAK qëndroi për gati 1 orë dhe në dalje refuzoi të komentonte arsyet e marrjes në pyetje.
Jo zyrtarisht, mësohet që Dako të jetë thirrur për llogari të dosjes Çyrbja, ku nga bisedat e grupit kriminal të Altin Hajrit, eksponenti i krimit të organizuar Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekiçi, i thoshte ish-deputetit socialist se e kishte rregulluar që ai të renditej i pesti në listën për kandidat në Partinë Socialiste. Për këto pretendime, Dako është pyetur nga hetuesit, pasi ka qenë edhe drejtues i PS në Durrës. Pak ditë më parë, Vangjush Dako u dënua me 2 vite e 8 muaj burg për një tjetër hetim, atë të abuzimeve kur ishte në krye të Bashkisë së Durrësit.
/rtsh.al/