RTSH 24 Live

Aktualitet

Dumani: Prokurorët e SPAK të rikandidojnë pas mbarimit të mandatit, po hetojmë grupet kriminale shqiptare në Amerikën Latine

3 orë para

Dumani: Prokurorët e SPAK të rikandidojnë pas mbarimit të mandatit, po hetojmë grupet kriminale shqiptare në Amerikën Latine

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion (SPAK), Altin Dumani gjatë takimit të zhvilluar të hënën në Kuvendin e Shqipërisë në Komisionin e Monitorimit të Këshillit të Evropës, ju kërkoi deputetëve të ndryshojnë ligjin dhe të lejojnë rikandidimin e prokurorëve të Posaçëm kur të përfundojnë mandatin e tyre 9 vjeçar në SPAK.

Sipas tij, sfida e parë, është ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Kreu i SPAK u shpreh se pavarësia e Prokuroria Speciale është një nga shtyllat që garantoi suksesin e këtij institucioni në goditjet penale qoftë në aspektin e luftës ndaj korrupsionit ashtu edhe krimit të organizuar.

“Kemi një SPAK funksional por përpara nesh ka shumë sfida dhe përparësi. Në mënyrë të përsëritur SPAK ka paraqitur qoftë gjatë raportimit në KLP, por edhe në Kuvend, disa shqetësime që shpresojmë mtë gjejnë zgjidhje ligjore nga Kuvendi. Sfida e parë është ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Kushtetuta dhe ligji garanton pavarësinë e SPAK dhe kjo pavarësi është një nga shkaqet që SPAK ka filluar të jetë i suksesshëm në ndjekjen penale me natyrë korruptive apo edhe të krimit të organizuar. Një shqetësim i bërë publik është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit. Mandati është 9 vite dhe pas 9 viteve kthehen në vendin ku kanë qenë më parë, para se të bëheshin pjesë e SPAK. Kemi kërkuar të rishikohet dhënia e mundësisë prokurorit të posaçëm, jo zgjatje automatike të mandatit, që të rikandidojnë dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e SPAK”, tha Dumani.

Nga ana tjetër kreu i SPAK, kërkoi që Kuvendi të rishikojë ligjin, në mënyrë që institucioni që ai drejton të mos trajtojë korrupsione të vogla deri në 500 euro.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Dumani tha se institucioni që ai drejton ka konsoliduar bashkëpunimin me autoritetet në Ekuador, gjë që ka ndihmuar në hetimin ndaj grupeve kriminale shqiptare.

Sipas Dumanit, SPAK ja ka dalë të ketë kontakte dhe të shkëmbejë informacione edhe me vende të ndryshme të Amerikës Latinë, që ndihmojnë në hetimet kundër grupeve të krimit të organizuar shqiptar.

“E kemi konstatuar në hetimet që grupet shqiptare janë prezentë në Ekuador. Kemi ndërtuar një bashkëpunim me autoritetet e Ekuadorit. Në 2024 kemi konsoliduar një marrëdhënie bashkëpunimi, kemi ndihmuar në hetimet që po bëjnë ndaj grupeve kriminale shqiptare, siç po hetojmë bashkërisht në drejtim të grupeve kriminale shqiptare. Edhe për shumë vende të tjera bashkëpunimi me Ekuadorin dhe vende të Amerikës Latine është pak i vështirë. Por ne si SPAK ja kemi dalë të kemi kontakte dhe të shkëmbejmë informacione dhe të ndërtojmë hetime kundër grupeve të krimit të organizuar shqiptar në Ekuador. E kemi bërë me shumë shtete të Amerikës Latine, Brazilin, dhe vende ku ka grupe shqiptarësh”, u shpreh Dumani.

Ai vuri në dukje bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, duke nënvizuar se SPAK ka zhvilluar hetime të përbashkëta dhe ka krijuar ura komunikimi të vazhdueshme.

“Me Mbretërinë e Bashkuar kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Me MCA, me të cilën kemi një marrëveshje bashkëpunimi. Drejtori MCA ka qenë në zyrën time, por edhe unë e kam vizituar në Londër. Kemi marrëdhënie konstante bashkëpunimi me shkëmbime informacionesh, kemi skuadra të përbashkëta mes SPAK dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kemi hetime të përbashkëta. Me kënaqësi me autoritet të Mbretërisë së Bashkuar kemi vendosur ura komunikimi të cilat dita ditës po japin fryte në luftën kundër krimit të organizuar. Një fushë tjetër ajo kur shtetas shqiptar të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar kanë transferuar produkte të veprës penale në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar për këtë kategori, SPAK të regjistrojnë në Shqipëri hetime pasurore për sekuestrimin e produkteve të veprës penale për shtetas shqiptarë të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar që i kanë investuar në Shqipëri. Jemi në rrugë të mbarë. Kontaktet i kemi të shumta”, tha Dumani.

/rtsh.al/