Radio Tirana festoi 86 vjetorin e saj, por pavarësisht se po I afrohet gati një shekulli, ajo është një Radio moderne e cila me stafin e përkushtuar dhe studiot e rikonstruktura vijon të ofrojë për publikun një shërbim të mirë, dhe emisione të shumëllojshme.
Me rastin e 86 vjetorit të Radio Tiranës në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar u organizua një ceremoni festive për të kujtuar historinë 86 vjeçare të Radios, dhe veprimtarinë e shumëllojshme në dekada.
Në ceremoni morën pjesë personalitete, drejtues të Radios dhe Televizionit si edhe plejada e gazetarëve dhe teknikeve të cilët kanë kontribuar për vite në Radio Tirana.
Mes emocioneve dhe nostalgjisë të viteve, punonjësit e RTSH festojnë në hollin e radios.
Gazetari, Astrit Ibro, ish-shefi i departamentit të Gjuhëve të Huaja, kujton kontributin e tij dhënë në radion duke thënë se, “ Radio Tirana është shtëpia e dytë sepse prej 42 vitesh kam punuar pa ndërprerje. Radio Tirana nuk është thjesht një shkollë për gazetarët e rinjë por është një burim për informacionin dhe për kulturë. Për shumë vite çdo gjë që thuhet në Radio Tirana merrej si një e vërtetë sepse ishte burim i sigurtë dhe i rëndësishëm.
Radio Tirana ka qenë media e parë në Shqipëri e cila për shkak të jetëgjatësisë ka shërbyer edhe si shkollë për shumë gazetarë të cilët karrierën e tyre e kanë nisur pikërisht aty.
Një tjetër gazetar që iu bashku festës së radios ishte dhe gazetari Rezar Xhaxhiu.
“ Unë jam një rikthim në radio sepse vetë jam prodhim i Radio Tiranës. Nisja ime se gazetar ishte pikërisht në këtë ambient në vitin 1992 nis si reporter radiofonik dhe pata fatin që të punoja përkrah shkollave të mëdha të radios sikurse ishin; Alfons Gurashi, Agron Çobani, Mira Koleci etje. Pra ishin një numër i madh gazetarësh që kishin bërë epokë në Radio Tirana. Mikrofoni i Radios është një magji më vete. Ndaj sot kujtojë me nostalgji atë shprehjen që flitej në këto korridore që të gjithë gazetarët e mirë të televizionit kanë bërë shkollën e radios. Urimi im për Radio Tirana është që të vazhdojë të jetë e vetmja dhe më e madhja.
Radio Tirana nisi transmetimet e saj për herë të parë në 28 nëntor të vitit 1938.
/rtsh.al/