RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrau Alfred Dedjan në Ndroq, vetë-dorëzohet në polici autori i dyshuar, Julian Gjoshi

3 orë para

Vrau Alfred Dedjan në Ndroq, vetë-dorëzohet në polici autori i dyshuar, Julian Gjoshi
Në Foto: Alfred Dedja (majtas) dhe autori i dyshuar i vrasjes, Julian Gjoshi (djathtas)

Merr fund arratia e një të riu 26 vjeç nga Shijaku, i cili një ditë më parë vrau për motive ende të paqarta vrau në Ndroq 50-vjeçarin, Alfred Dedja.

Policia bëri të ditur të hënën se në vijim të veprimeve për  ngjarjen e  ndodhur më datë 01.12.2024, ku rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq,  mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Alfred Dedja 50 vjeç, falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të Policisë së DVP Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas kontrolleve të shumta të ushtruara bazuar në inteligjencës policore, gjetjen dhe bllokimin e automjetit të dyshuar që kishte përdorur autori, si dhe bllokimit të rrugëkalimeve dhe pamundësisë për të qëndruar i fshehur, është vetë-dorëzuar në polici autori i dyshuar, Julian Gjoshi 26 –vjeç.

“Në vijim të veprimeve Specialistët për hetimin Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë  bënë ndalimin e  autorit të dyshuar, shtetasit J. Gj., 26 vjeç, banues në Shijak. Për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, për sigurimin  dhe sekuestrimin e  provave dhe kapjen e ndalimin e autorit, Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Tiranë, kanë punuar me  profesionalizëm në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe strukturat e tjetra të Policisë së  Shtetit.”, njofton policia.  

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

Ngjarja

Ngjarja u regjistrua pasditen e djeshme (1 dhjetor), ku 50-vjeçari dedja u qëllua për vdekje në një lokal në Ndroq. Alfred Dedja është një emër i njohur për policinë pasi në vitin 2014 ai u arrestua pasi akuzohej për vjedhje.

Dedja u prangos në ambientet e spitalit “Nënë Tereza” në kryeqytet, pasi dyshohej se kishte thyer xhamat e disa automjeteve të parkuar aty, ndërsa kishte vjedhur dhe sendet personale dhe një shumë parash.

Ai rezultoi të ishte autor i mbi 15 vjedhjeve të ndodhura dhe kishte marrë shuma të mëdha parash, sende personale, çanta, lap-top etj., materiale të cilat gjendeshin në brendësi të makinave të vjedhura. Dedja i kryente vjedhjet në makinat që u përkisnin të afërmve të pacientëve që ishin shtruar në spital.

SPAK: Alfred Dedja nuk është i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hedhur poshtë deklaratat që e lidhin Alfred Dedjan, i cili u vra mbrëmjen e së dielës (1 dhjetor) në Ndroq, me një ngjarje që daton në vitin 2020, e që po hetohet nga SPAK.

Sipas SPAK, deklaratat në media janë të pavërteta, ndërsa shton se Alfred Dedja, nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prengës.

“Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr. 60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, Alfred Dedja nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020”, njofton SPAK.

SPAK nënvizon se emri i tij nuk rezulton të ketë qenë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden”, në Shijak, pronë e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.

“I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “Arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njofton SPAK.

Sipas SPAK “në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen, ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden””.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bën me dije se i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të Policisë, si organi përgjegjës për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri.

/rtsh.al/