RTSH 24 Live

Aktualitet

Aktivistët protestojnë kundër kampeve të emigrantëve në Gjadër

5 orë para

Aktivistët protestojnë kundër kampeve të emigrantëve në Gjadër

Me moton ‘marrëveshje ilegale, rezistencë globale’, dhjetëra aktivistë shqiptarë dhe italianë protestuan këtë të hënë (2 dhjetor) para Kryeministrisë, Europa House dhe Ambasadës Italiane për anulimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët.

Ne besojmë se është e nevojshme të protestojmë si në Itali ashtu edhe në Shqipëri së bashku, shqiptarë dhe italianë. Ne besojmë se miqësia e vërtetë mes dy vendeve është kjo këtu, të bëhemi së bashku për të gjetur drejtësi, nuk është miqësi ajo që kanë quajtur Rama dhe Meloni. Kjo do të thotë se ti përdor tokat e të tjerëve për të bërë propagandë politike. Ne shqiptarët, që prindërit tanë i kanë provuar qendrat italiane, e dimë si funksionojnë qendrat e emigrantëve dhe kushtet mizore që ka në to. Personat që emigrojnë kërkojnë pasaportë europiane, kështu që ti nuk mund të shkelësh një rregull të qartë të BE-së që kërkon azil aty ku ke shkuar. Për fat të keq, Europa që po bëhet çdo ditë më raciste dhe nacionaliste do të kopjojë modelin e Shqipërisë dhe kjo është shumë negative pasi emigrantët ikin për një jetë më të mirë”, tha protestuesi.

Një tjetër protestues tha se protesta po zhvillohen edhe në vendin fqinj.

“Protestat po bëhen edhe në Itali, por duke qenë se dhe Shqipëria është pjesë e kësaj ngjarjeje, vendosëm të bashkëpunojmë me aktivistët këtu për të mbështetur këtë kauzë. Italia duhet të mbajë atje personat që zbarkojnë në Itali, kjo është një deportim, kjo është t’u heqësh të drejtat njerëzve dhe është një krim që do të denoncohet në Itali dhe në Komunitetin Europian sepse kjo është një falimentim për politikën europiane për emigracionin”, u shpreh një tjetër protestues.

Një ditë më parë, aktivistët italianë së bashku me ata shqiptarë kanë protestuar edhe pranë kampeve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës. Pas dy lundrimeve të pasuksesshme më 15 tetor dhe 8 nëntor, ku anija Libra solli 16 dhe 8 emigrantë në Shëngjin, ndalimi i të cilëve u anulua më pas nga gjykata e Romës, qendrat pritëse në Shëngjin dhe Gjadër janë bosh.

Ndonëse me personel të reduktuar, autoritetet italiane vijojnë t’i mbajnë të hapura dhe janë në pritje të vendimeve të drejtësisë në lidhje me këtë marrëveshje.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/