Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja vlerësoi të hënën se SPAK tashmë është kthyer në model suksesi në luftën kundër korrupsionit.
Deklarata e Manjës u bë në mbledhjen e komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili vijon punimet në Kuvendin e Shqipërisë në panelin me temë “Veprimet gjithëpërfshirëse, luftën ndaj korrupsionit: Politika dhe Instrumente”.
Manja nënvizoi në fjalën e tij se SPAK ka hetuar dhe çuar për gjykim figura të njohura të politikës dhe administratës duke përfshirë ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-zv/kryeministra, ministra dhe deputetë dhe një numër të konsiderueshme, zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm.
Sipas tij, lufta kundër korrupsionit është një prioritet kombëtar dhe domosdoshmëri për ndërtimin e një Shqipërie të drejtë, të ndershme dhe të zhvilluar.
“Ky nuk është vetëm një angazhim qeveritar, por edhe një betejë për sigurinë tonë kombëtare për të mbrojtur institucionet tona dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tanë”, u shpreh Manja.
Ministri theksoi se Reforma në Drejtësi është themeli i besimit të publikut, gjithëpërfshirëse, që përbën gurë-themelin e luftës kundër korrupsionit.
“Vetingu, si çështje themelore e kësaj reforme, ka pastruar sistemin nga individë që nuk përmbushnin standardet e integritetit profesional. Në 21 nëntor të këtij viti Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin e fundit duke përmbyllur me sukses mandatin sipas Kushtetutës dhe ligjit të rivlerësimit së bashku me Komisionerin Publik. Në sitën e rivlerësimit kaluan 805 subjekte, gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë ligjorë dhe ndihmës ligjorë”, informoi Manja.
Në përfundim të këtij procesi, sipas ministrit, vetëm 373 subjekte ose 46.3% e tyre e kaluan me sukses procesin e vetingut, ndërsa 432 subjekte ose 53.6% janë larguar për mos justifikim të pasurisë apo mungesë të integritetit të figurës.
Sipas ministrit, 53 raste janë referuar në SPAK ose në prokurorinë e juridiksionit të përgjithshëm për verifikime të natyrës penale me qëllim ushtrimin e ndjekjes penale dhe hetimit nëse do të ketë raste të tilla.
Manja nënvizoi se ky proces ka rikthyer besimin e qytetarëve te drejtësia duke siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin.
“Krijimi i një sistemi gjyqësor më të fortë dhe më të pavarur është faktor themelor në garantimin e sundimit të ligjit dhe në krijimin e një ambienti të favorshëm për investime dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”, theksoi Manja.
Sipas tij, sfidë mbetet që ky proces të mbyllet me sukses dhe se kjo kërkon që Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili do të ushtrojë veprimtarinë deri në dhjetor 2026, duhet ta mbyllë këtë proces me të njëjtat standarde që ka ndjekur procesi i veting-ut.
“Sfida tjetër është që organet e reja kushtetuese të sistemit të drejtësisë që janë bartëse të ushtrimit të funksioneve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët, Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët dhe drejtuesi i SPAK në ushtrimin e funksioneve të Komisionerit Publik, të vazhdojnë me të njëjtat standarde të krijuara nga procesi i vetingut me qëllim që sistemi të mbahet i pastër nga korrupsionit për të mos rënë në gjendjen që ishim para Reformës në Drejtësi”, deklaroi Manja.
Risi e Reformës në Drejtësi, sipas ministrit, ishte edhe krijimi i strukturës së posaçme anti-korrupsion SPAK.
Sipas tij, SPAK sot është kthyer në model suksesi në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar dhe është nga institucionet më të besueshme për publikun në Shqipëri.
Manja theksoi se pasuritë e paluajtshme të zyrtarëve të lartë po identifikohen, sekuestrohen dhe konfiskohen sipas ligjit.
“Krimi i organizuar dhe asetet e tij kriminale janë vënë nën shënjestrën e kësaj agjencie dhe janë goditur një numër i konsiderueshëm grupesh kriminale. Mesazhi është shumë i qartë: Askush nuk është mbi ligjin”, tha Manja.
Ministri vlerësoi po ashtu se digjitalizimi mbetet një armë e fuqishme në luftën kundër korrupsionit.
/rtsh.al/