RTSH 24 Live

Politikë

'Detyrim paraqitje", Kryemadhi në SPAK: Ka një sërë shkeljesh, çështja do përfundojë në Strasburg

9 orë para

'Detyrim paraqitje", Kryemadhi në SPAK: Ka një sërë shkeljesh, çështja do përfundojë në Strasburg

Deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur këtë të hënë (2 dhjetor) në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të vendimit të gjykatës ndaj masës së sigurisë “detyrim paraqitje’.

Po ashtu, Kryemadhi ka depozituar dhe ankimimin për sekuestron e dy vilave, të saj dhe të mamasë së saj.

Në një deklaratë për media, Kryemadhi paralajmëroi se parregullsitë dhe paligjshmëritë ligjore, që janë bërë sipas saj ndaj procesit në drejtim të saj dhe të nënës së saj, do të përfundojnë në Strasburg.

Me atë çfarë pamë, është vërtetë shumë qesharake, jo profesionale. Megjithatë është procedurë që duhet ta ndjek hap pas hapi për të ecur më përpara dhe për të vazhduar me të gjithë procedurat ligjore.

Mamaja ime nën hetim nga SPAK që kur i kanë bërë kontrollin në banesë. Pavarësisht se prokuroria ka ndjekur trike që nuk e di nëse janë të ligjshme apo jo, që nuk e kanë regjistruar si procedim penal në regjistër, por edhe kur është marrë në pyetje është pa avokat. Në momentin që i është kontrolluar banesa, si mund të marrësh ti një person në dijeni pa avokat?

Ka një sërë shkeljesh që ne jo se kemi shpresë nga Gjykata e Apelit, se shohim presion psikologjik dhe kërcënim i hapur që bëhet nga institucioni i Prokurorisë ndaj gjyqtarëve të sistemit të drejtësisë. Kjo gjë do përfundojë në Strasburg për shkeljen e gjithë procesit, qoftë lër shkeljen e të drejtave të njeriut, të pronës, të shumë gjerave të tjera që kanë kaluar çdo limit njerëzor”, u shpreh Kryemadhi.

Monika Kryemadhi është nën hetim për akuzat e korrupsionit dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Vendimi për sekuestrimin e pasurisë është lidhur me hetimet ndaj Kryemadhit, ndërsa më 19 nëntor Gjykata e Apelit la në fuqi masën "Detyrim paraqitje".

Kujtojmë se në burg ndodhet ish-presidenti, Ilir Meta, ish-bashkëshorti i Kryemadhit, pasi akuzohet për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish, me dyshime të nisura që nga çështja CEZ-DIA. 

Pasuritë e sekuestruara janë:

Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe;

kati përdhes, 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë;

kati nëntokë 139 m2,           

kati i parë 79 m2,

kati i dytë 51 m2, verande kati i dytë 27.9 m2 – në pronësi të shtetases F.K., me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.

Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe;

kati përdhes 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë,

kati nëntokë 139 m2,

kati i parë 79 m2,

kati i dytë 51 m2, verandë kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të M.K.,

me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.

/rtsh.al/