RTSH 24 Live

Politikë

Dy ditë pas thirrjes në SPAK, Çyrbja dorëzon mandatin e deputetit

10/10/2024

Dy ditë pas thirrjes në SPAK, Çyrbja dorëzon mandatin e deputetit

Dy ditë pas paraqitjes në SPAK, Jurgis Çyrbja ka dorëzuar në Kuvend mandatin e deputetit.

Sipas burimeve për RTSH, bëhet me dije se shkak i dorëheqjes janë problemet shëndetësore.

Dy ditë më parë, Çyrbja u thirr në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për një kallëzim që ka bërë Edi Paloka për legalizimet para zgjedhjeve.

Në atë kohë drejtues politik i qarkut Durrës, Paloka, ka çuar në SPAK deputetin aktual për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone.  Në të njëjtën kohë, Paloka pretendoi se edhe javët e fundit të fushatës Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë certifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.

Çyrbja ishte në mandatin e tij të dytë si deputet i Partisë Socialiste. Në 2021-shin, Çyrbja ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës ndësa për herë të parë u zgjodh ligjvënës në vitin 2017.

/rtsh.al/