RTSH 24 Live

Paris 2024

Dudaev triumfon i bronztë, Shqipëria fiton medaljen e dytë olimpike në Paris 2024

11/08/2024

Dudaev triumfon i bronztë, Shqipëria fiton medaljen e dytë olimpike në Paris 2024

Mundësi shqiptar Islam Dudaev i ka dhuruar një tjetër medalje historike vendit në Lojërat Olimpike të Parisit, duke mundur numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.

Sportisti shqiptar e kontrolloi prej fillimit ndeshjen, duke garantuar katër pikë me një hedhje të realizuar thjesht, si dhe dy pikë të tjera duke e shtrirë në kurriz sfiduesin e tij.

Hungarezi Muszukajev përfitoi nga gabimet duke e ngushtuar rezultatin në 8–6 pas raundit të parë. Ndërsa në raundin e dytë, në sekondat e fundi, shqiptar arriti ta nxjerrë hungarezin me forcë nga zona e ndeshjes, duke i marrë atij një pikë të fundit. Rezultati u mbyll 13–12.

Më herët, mundësi amerikan Retherford u tërhoq nga gara pasi nuk arriti peshën ideale për t'u përballur me Dudaevin. Kjo i dha mundësinë mundësit shqiptar të kualifikohet automatikisht në finalen për medaljen e bronztë

Të shtunën ishte mundësi tjetër shqiptar, Chermen Valiev, që shkroi historinë në Paris 2024. 

Mundësi kuqezi i dhuroi Shqipërisë medaljen e parë të bronztë në historinë e Lojërave Olimpike. Ai mposhti me rezultatin 6–2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.

Garat u transmetuan drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Radiotelevizionin Shqiptar. 

Drejtuesi për mediet në KOKSH: Dy medalje të bronzta, por me aromën e të artave

Elert Yzeiri, drejtor i komunikimit në Komitetin Olimpike Kombëtar Shqiptar, tha për RTSH 24 se medaljet që Shqipëria ka siguruar këto dy ditë janë tejet të merituara.

"Nuk ka sport pa emocione, pa zemër të ngrirë. Edhe kjo e sotmja ishte një fitore me zemër në dorë, por sportisti [Dudaev] tregoi vlerat më të mira. Ky është një sportist që e ka arritur pjekurinë gjatë këtij viti si kampion Evrope, por ka shfaqur edhe maturi. Ai i shpëton kundërshtarit, i rrëmben pikë kundërshtarit. Sot ishte i jashtëzakonshëm.

Dy medaljet [që kemi marrë dje dhe sot] janë të bronzta, por kanë aromën e medaljeve të arta." tha z. Yzeiri.

/rtsh.al/