Një vit pa kolosin e letrave shqipe.
Në shtëpinë-muze në muajin kushtuar Ismail Kadaresë janë ekspozuar disa dorëshkrime dhe korrespondenca që i përkasin shkrimtarit të madh, që u nda nga jeta korrikun e një vit më parë.
Skica origjinale është ky variant i radionovelës "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" për BBC-në, që u shkruajt katër herë me dorë nga autori.
Korrespondenca me nobelistin gjerman Gunter Grass, titulli "Legjioni i nderit" dhe disa dorëshkrime të tjera janë të ekspozuara për publikun.
Në një vit të gjatë të mungesës fizike, shkrimtari i madh Ismail Kadare ka dhe lexues të veçantë, që tregojnë se qasja me veprat e tij nuk njeh moshë.
Veli Guga u njoh me shkrimtarin në moshën 30-vjeçare.
"Unë kam rënë në mes të veprave të Kadaresë, te Lul Mazreku. Ishte pjesa kur gjithë shqiptarët kërkonin të iknin dhe mua më bënte përshtypje, 'ç'është kjo?!'. Duke u rritur në fshat nuk arrije t'i kuptoje të gjitha gjërat. [Tek mua] ndryshoi gjithçka. Njohja me botën, pra ajo botë që e shikonim në televizor, botën shqiptare apo të huaj. Këtë e bëri vetëm Kadareja," tregon lexuesi i pasionuar pas Kadaresë.
Teksa viziton për herë të parë shtëpinë e shkrimtarit ndjen emocione të forta.
Shtëpia-muze, e arreduar sipas stilit tipik të viteve 1960 në kujtim të ditëlindjes së shkrimtarit, pati vizitorë të mëdhenj e të vegjël, që u bënë bashkë për t’i dhënë vëmendje një figure kaq të ndritur në letërsinë shqipe, por jo vetëm, të njohur ndërkombëtarisht.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/