RTSH 24 Live

Sociale

Delvinë , procesi mësimor vijon normalisht

15/05/2021

Delvinë , procesi mësimor vijon normalisht

Në të gjitha shkollat e bashkisë së Delvinës procesi mësimor po vijon normalisht. Situata e vështirë  e krijuar nga pandemia tashmë ka kaluar dhe nxënësit janë rikthyer nëpër shkolla për të vazhduar mësimin.

Sipas kryetares së kësaj bashkie Majlinda Qilimi në të gjitha shkollat mësimi bëhet me dy turne për të respektuar protokollin e sigurisë të kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale pasi ende virusi është prezent në Shqipëri. 

 “Në shkollat e qytetit nuk kemi patur probleme. Qyteti u godit fort gjatë muajit shkurt nga pandemia, kemi patur vërtet humbje jete dhe shtim të personave të prekur në atë periudhë por fatmirësisht mësimi ka vazhduar normalisht, mësuesit në Delvinë janë vaksinuar dhe tashmë mësimi vazhdon me dy turne por jo më online. Fëmijët janë në shkollë . Ne kryejmë dezinfektimin çdo fundjavë por edhe sa herë na kërkohet prej mësuesve apo sa herë e kërkon protokolli i pandemisë . Mësimi vijon normalisht në të gjitha shkollat e Delvinës. Problematika të mëdha në shkolla nuk kemi patur që të pengojnë zhvillimin normal të mësimit. Vend për përmirësim kuptohet që ka, ne jemi duke kërkuar rikonstruksionin e gjimnazit të qytetit të Delvinës i cili ka vërtet nevojë për një rikonstruksion të tillë dhe shpresojmë se edhe këtë gjë do ta realizojmë ndoshta jo këtë vit por vitin tjetër do të kemi edhe një shkollë të rikostruktuar”shprehet kryetarja Qilimi .  

Në këtë bashki në të gjitha shkollat kopshtet dhe çerdhet vijon normalisht edhe dëzinfektimi i ambjenteve në mënyrë që gjithë nxënësit të jenë të sigurtë. Ndërkaq në Delvinë të gjithë mësuesit tashmë janë vaksinuar.