Mbi 300 mësues në Korçë janë prekur nga ulja e pagës së nivelit të diplomës që erdhi fill pas rritjes së pagave në korrik të vitit 2024. Sipas Leonard Trebickës, kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Korçë bëhet fjalë për një brez më të vjetër mësuesish të cilët aktualisht po marrin rreth 10 mijë lekë më pak çdo muaj.
“Shifra reale është rreth 300 mësues, preket brezi i mësuesve që kanë qenë të vjetër dhe është ai brez të cilët ne kemi respektin më të madh dhe janë ata që janë pjesa kryesore e arsimit në Shqipëri”, u shpreh Leonard Trebicka, Kryetar i SPASH Korçë.
Në një komunikatë për mediat Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Korçë i është përgjigjur deklaratës së kryetarit të SPASH Korçë mbi problematikën e uljes së pagës së grupit për mbi 300 mësues. Në këtë komunikatë thuhet:
“Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë sqaron mësuesit e interesuar se në kuadër të politikave të reja për mbështetjen dhe motivimin e tyre, mësuesit kanë përfituar një rritje mesatare prej 18 mijë lekë çdo muaj duke e çuar pagën mesatare të mësuesve në 950 euro. Kjo është rritja më e madhe historike e pagave për mësuesit. Këto masa synojnë të rrisin mirëqenien dhe performancën e mësuesve, duke përmirësuar standardet në sistemin arsimor parauniversitar” përfundon komunikata për mediat e dërguar nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Korçë.
/rtsh.al/