RTSH 24 Live

Aktualitet

Çështja McGonigal, “New York Times” zbardh detaje: S’e fshehu marrëdhënien me Ramën! 225 mijë dollarët nga Neza, jo rryshfet

03/02/2023

Çështja McGonigal, “New York Times” zbardh detaje: S’e fshehu marrëdhënien me Ramën! 225 mijë dollarët nga Neza, jo rryshfet

Gazeta prestigjioze amerikane “New York Times” ka zbardhur detaje nga hetimet në lidhje me çështjen McGonigal, duke hedhur dritë edhe mbi takimin e këtij të fundit me kryeministrin Edi Rama, që është kthyer në diskutimin kryesor në politikën shqiptare prej ditësh tashmë.

Sipas “New York Times”, ish-agjenti i FBI, Charles McGonigal, nuk e kishte fshehur marrdhënien e tij me Ramën dhe se për komunikimet me kreun e qeverisë shqiptare ka përdorur adresën e tij zyrtare të emailit

Gatishmëria e zotit McGonigal për t'u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, sugjeron se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët, thanë ish-zyrtarët. Ai përdori gjithashtu adresën e tij të emailit dhe telefonin e FBI-së për çështje të lidhura me Shqipërinë, tha një person me njohuri në hetim”, thuhet në artikull.

Artikulli sqaron me tej edhe takimet e McGonigal me biznesmenin shqiptar, Agron Neza, ku shkruhet se ata u takuan në gusht të vitit 2017, ku ish-agjenti i FBI i kërkoi atij një shumë parash, në formë borxhi. Bëhet fjalë për 225 mijë dollarë të cilët, McGonigal premtoi se do tja kthejë sërish Nezës. Sipas artikullit, ndaj Nezës nuk është ngritur asnjë akuzë në hetime.

Në takimin e gushtit 2017, zoti McGonigal i kërkoi para zotit Neza. Ata nuk dhanë detaje se si u takuan dy personat, por në aktakuzën e Nju Jorkut, zoti Neza përmendet si miku i zotit McGonigal. Në muajt pasi zoti McGonigal kërkoi para, ata bënë udhëtime të shumta në Evropë, ku z. McGonigal me sa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për zotin Neza. Ai nuk është akuzuar për ndonjë shkelje”, thuhet në artikull.

Në lidhje me çështjen e lobimit në Partinë Demokratike, në artikull shkruhet se ka qenë vetë lobisti Nick Muzin i cili ka bërë një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë, duke treguar lobimin, para se McGonigal të kontaktonte me prokurorin për të bërë denoncimin në lidhje me këtë çështje.

Në nëntor, pasi z. McGonigal u takua përsëri me kryeministrin dhe z. Ducka në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror që kishte qenë me të në Austri për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i zotit Rama kishte punësuar për të pasur akses dhe mbështetje ndaj Presidentit Donald J. Trump. Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhëna të tjera publike duket se përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin. Vetëm disa ditë përpara se z. McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, z. Muzin paraqiti një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë politike të qendrës së djathtë që sfidonte zotin Rama. Partia drejtohej nga Lulzim Basha, i cili ishte vendosur si mbështetës i zotit Trump”, shkruan “New York Times”.

Që prej arrestimit të ish-agjentit të FBI, opozita në Shqipëri ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama se ka korruptuar McGonigal për favore të qeverisë dhe në dëm të opozitës. Kryeministri Edi Rama është përgjigjur duke pranuar se e ka takuar McGonigal, por si agjent të FBI dhe duke hedhur poshtë akuzat e opozitës.

Komisioni i Rithemelimit dorëzoi sot në Kuvend edhe kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për hetimin e marrdhënieve të McGonigal me kryeministrin Rama.

/rtsh.al/