RTSH 24 Live

Sociale

Buxheti 2025 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale tejkalon 1 miliard euro

13/11/2024

Buxheti 2025 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale tejkalon 1 miliard euro

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , Albana Koçiu thotë se buxheti 2025 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale tejkalon 1 miliard euro.

Ministrja thekson se ky është buxheti më i madh i parashikuar për shëndetësinë, me një rritje prej 5% nga viti i kaluar.

“Tre shtyllat kryesore janë mbulim universal për qytetarët, me reduktim kostosh, shërbime të zgjeruara dhe rritje aksesi në vendbanim. Financime për fëmijët në nevojë, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë vulnerabël; Vlerësim i personelit shëndetësor përmes përmirësimit të kushteve dhe rritjes së pagave; Investime historike për modernizim: Ndërtime të reja, rikonstruksione në spitale dhe qendra shëndetësore anembanë vendit. Do të hapen kantiere të rëndësishme si ai i Spitalit Rajonal Korçë dhe rikonstruksioni i pavioneve kyçe në QSUT dhe spitalet rajonale. Në kujdesin parësor, parashikojmë 7.6 milionë vizita dhe vazhdojmë me rimbursimin për fishat e diabetit dhe barnat për 400 mijë qytetarë. Në kujdesin dytësor, mbështesim trajtime jetësore, përfshirë transplantin e veshkave, dializën dhe paketën e fertilitetit për 150 familje të reja”, thotë Koçiu në postimin në rrjetet sociale.

Ministrja thotë se në fushën e Mbrojtjes Sociale, buxheti mbështet me ndihmë financiare 62 mijë familje me skemën e ndihmës ekonomike me vlerë 7.2 miliardë lekë.

“Nga skema e Aftësisë së kufizuar do të përfitojnë 91 mijë e 240 qytetarë me AK me vlerë 15 miliardë lekë. Vijojmë mbështetjen për institucionet e përkujdesit social, për fëmijët, të moshuarit e shtresat në nevojë me një vlerë prej 1.3 miliardë lekësh. Buxheti 2025 reflekton një angazhim të fortë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjen sociale, duke garantuar një standard të denjë për të gjithë qytetarët tanë”.


/ rtsh.al /