RTSH 24 Live

Politikë

Buxheti 2025, Denaj në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese: 15 miliardë lekë për bujqësinë dhe zhvillimin rural

11/11/2024

Buxheti 2025, Denaj në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese: 15 miliardë lekë për bujqësinë dhe zhvillimin rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj prezantoi në Komisionin për Veprimtaritë  Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projekt-buxhetin 2025 për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural. Denaj theksoi se këtë vit fokusi do të jetë në bashkimin e fermerëve, duke synuar nxitjen e investimeve në ekonomi, ulur kostot dhe rritur produktivitetin.

“Në 10 vitet e fundit mbështetja e qeverisë dedikuar sektorit bujqësor ka bërë të mundur, të prekshëm dhe real zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit si dhe ruajtjen e dinamikës pozitive progresive të tij. Nevoja për mbështetjen e sektorit gjatë vitit të ardhshëm e në vijim është e domosdoshme dhe investimet janë të fokusuara në produkte investimesh që ndihmojnë përmirësim të sigurisë ushqimore, si edhe në sisteme dhe infrastrukturë që kontribuon në terma më afatgjatë edhe për objektivat dhe vizionin tonë “Bujqësia 2030”. Me Aktin Normativ të fund vitit, buxheti Bujqësisë për skemat e mbështetjes pritet të jetë 52 milion euro dhe në 2025 projektohet minimalisht 55 milion euro” theksoi ministrja Denaj.

Për sa i përket buxhetit të propozuar për vitin 2025, Denaj nënvizoi se buxheti i propozuar arrin në 15 miliardë lekë, një rritje prej afro 4% në krahasim me buxhetin e vitit 2024.

"Me anë të këtij buxheti do të mundësohet financimi i politikave si Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë, Siguria Ushqimore, Zhvillimi i qëndrueshëm i peshkimit dhe ekonomisë blu dhe Zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe institucionale, bashkëpunimi i aktorëve, inovacioni dhe digjitalizimi", tha ajo.

4.4 miliardë lekë nga buxheti do të shkojnë për mbështetje direkte për fermerët” u shpreh ministrja Denaj teksa theksoi se bashkimi i operatorëve do të jetë sërish në fokus të skemës për vitin 2025.

Në fokus të buxhetit për vitin 2025 do të jenë edhe siguria ushqimore me 2.6 miliardë lekë, si dhe infrastruktura ujitje-kullim dhe mbrojtje nga përmbytjet me një fond prej 2.9 miliardë lekësh.

/rtsh.al/