RTSH 24 Live

Sociale

Bullizmi kibernetik në Elbasan, psikologët apel prindërve me fëmijë të mitur

01/03/2025

Bullizmi kibernetik në Elbasan, psikologët apel prindërve me fëmijë të mitur

Bullizmi kibernetik duket se është një ndër sfidat me të cilën po përballet shoqëria sot. Ekspozimi ndaj rrjeteve sociale i pakontrolluar, publikimi me apo pa dëshirë i imazheve, shpesh edhe me qëllime jo të mira, po bën që shumë të rinj të shfaqin probleme edhe në mirëqenien e shëndetit mendor. Psikologët në Elbasan ngrenë shqetësimin se të miturit, nuk janë të mirë informuar mbi rreziqet që kanë rrjetet sociale dhe gjithnjë e më tepër po bien pre e situatave jo të mira.

“Krimi kibernetik po rritet dhe ka denoncime të përditshme nga prindërit me fëmijë të mitur. Këto të mitur përfshihen në forma të ndryshme shantazhimi, ku kërcënohet edhe vetë jeta e këtyre fëmijëve”, tha psikiatria klinike Eriona Hoxha.

Të qëndruarit pranë dhe të vëmendshëm ndaj aktivitetit të fëmijëve është rekomandimi më i mirë që psikiatrët kanë për prindërit që kanë fëmijë të mitur.

“Këshilla ime është të flasin sa më shumë me fëmijët e tyre. Përtej çdo problematike duhet të jemi dëgjues të mirë të fëmijëve”, tha ajo.

E njëjta problematikë vlen edhe për të rriturit ku shumë prej tyre, sidomos vajzat, edhe pse mund të ndodhen në një situatë të rrezikshme nuk drejtohen për ndihmë por mbyllen në vetvete duke përfunduar edhe në depresion.

Në drejtorinë e Policisë së Elbasanit është hapur prej vitit të kaluar departamenti për sigurinë kibernetike, ku çdo qytetar mund të drejtohet për të denoncuar një situatë që i kanoset nga rrjetet sociale.

/RTSH/