RTSH 24 Live

Rajon

Bullgaria drejt heqjes së vetos Maqedonisë së Veriut, miraton propozimin e Macron! Shpresë për Shqipërinë

24/06/2022

Bullgaria drejt heqjes së vetos Maqedonisë së Veriut, miraton propozimin e Macron! Shpresë për Shqipërinë

Bullgaria ka dhënë një ‘dritë jeshile’ për mundësinë e heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Në parlamentin bullgar është miratuar një projektligj që mundëson heqjen e vetos përmes propozimit francez të Macron.

Projektligji u miratua me 170 vota pro, 37 ishin kundër dhe 21 abstenuan. Tashmë çështja do kalojë në duart e qeverisë për të dhënë një vendim përfundimtar

Parlamenti bullgar e hoqi veton me kushtin që sipas propozimit francez, Komisioni Evropian do të shërbejë si arbitër sepse tani procesi i anëtarësimit i Maqedonisë së Veriut është i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.

Që prej vitit 2020 Bullgari ka bllokuar rrugën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, ku rrjedhimisht pengohej edhe Shqipëria, pasi të dy vendet trajtohen në grup.

Ky vendim vjen një ditë pasi në samitin e BE nuk u arrit asnjë rezultat për zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e shprehën qartë zhgënjimin e tyre. Madje kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si pengmarrje të Bullgarisë ndaj dy vendeve të NATO-s, gjë që ka sjellë edhe përplasjet e tij me qeverinë bullgare lidhur me gjuhën e përdorur.

Samiti i BE-së është duke u zhvilluar edhe ditën e sotme, ndërsa pritet që mund  të ketë zhvillime pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Veto e Bullgarisë u vendos lidhur me mosmarrëveshjet e gjuhës dhe historisë duke i kërkuar Maqedonisë së Veriut që të njohë se gjuha maqedonase ka rrënjë bullgare si dhe të njohë pakicën bullgare të vendit në kushtetutën e saj.

/rtsh.al/