RTSH 24 Live

Politikë

“Jeni një turp”, Bullgaria: Komuniko me gjuhë të përshtatshme! Rama: Hiqni ‘veton’, ose më duroni mua

24/06/2022

“Jeni një turp”, Bullgaria: Komuniko me gjuhë të përshtatshme! Rama: Hiqni ‘veton’, ose më duroni mua

Bllokimi sërish i procesit të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka nxitur përplasje mes Bullgarisë dhe kryeministrit Rama. Bullgaria e ka cilësuar si një gjuhë jo të përshtatshme komentet e kryeministrit Rama në samitin e BE, që e cilësoi veton bullgare “një turp që po mban peng dy vende të NATO-s”.

Bullgaria thotë se kryeministri shqiptar duhet të përshtasë komunikimin e tij me atë të një politikani vendi i të cilit do të hyjë në BE, por kryeministri Rama i është përgjigjur duke thënë se nuk mund të mendojë dot ndryshe për një vend që përdor pengesa për të bllokuar integrimin për të zgjidhur çështjet e saj bilaterale.

Ministria e Jashtme bullgare thotë se e kanë mbështetur perspektivën evropiane të Shqipërisë edhe kur ishte shumë më e vështirë se sot, por sipas saj si kundërpërgjigje kanë marrë ofendime dhe provokime të ashpra nga kryeministri Rama.

Bullgaria ka qenë gjithmonë ndër ato shtete anëtare të Bashkimit Evropian që mbështesin përkatësinë evropiane të popullit shqiptar. Ne kemi mbrojtur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sot. Ndër vite nuk ka pasur shumë zëra të tjerë me ne në këtë kauzë. Ne e mbrojmë atë sot, pavarësisht gjithçkaje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Si kundërpërgjigje, nuk është hera e parë që dëgjojmë kualifikime të paprovokuara të ashpra, fyese nga kreu i qeverisë. Një regjistër kaq i ulët gjuhësor nuk mund të justifikohen më nga natyra dhe mungesa e aftësive evropiane të komunikimit. Presim që kryeministri shqiptar t'i përshtatë mjetet e tij shprehëse në një gjuhë që i përshtatet një politikani të një vendi kandidat për anëtarësim në BE”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Jashtme.

Në reagimin e ministrisë së Jashtme thuhet se Bullgaria kërkon një ton të mirë komunikimi dhe të dy vendet të kenë një ardhme të përbashkët në BE.

“Në këtë nivel, më shumë se çdo tjetër, ne insistojmë të mbajmë një ton të mirë komunikimi. Në këtë nivel ne kemi treguar gjithmonë gjithë respektin që kërkon një pozicion të përgjegjshëm dhe nivel të marrëdhënieve ndërshtetërore. Ne kemi një të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët po largohen. Kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, i cili nuk duhet të cenohet nga një gjykim i gabuar i politikanit. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes shteteve të bëhen peng i ekscentricitetit të kryeministrit aktual shqiptar” deklaroi Ministria e Jashtme.

E menjëhershme ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Rama, i cili shkruan se Bullgaria të heq veton ose do të ‘durojë atë”. Duke kujtuar bashkëpunimin me liderin e opozitës kur ka qenë në qeveri për minoritetin bullgar në Shqipëri, Rama thotë se miqtë nuk e dëmtojnë njëri tjetrin, por falsin dhe i japin dorën. 

“Oh! Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka një problem me mënyrën time të të folurit! Mjaft e drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet biletarale duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për rrëmbimin e dy vendeve të NATO-s! E thjeshtë miq: Hiqni VETO-n ose më duroni mua. Dhe meqë ra fjala, më lejoni t'ju kujtoj të dashur miq bullgarë se u desh një telefonatë e shkurtër me Boyko Borissov për të zgjidhur miqësisht dhe sinqerisht çështjen e minoritetit bullgar në Shqipëri! Miqtë e vërtetë nuk e dëmtojnë njëri-tjetrin, por flasin me të vërtetë me njëri-tjetrin dhe i japin dorën”, shkruan Rama.

/rtsh.al/