RTSH 24 Live

Politikë

Rama me Vuçiç e Kovaçevskin pas Samitit të BE: Negociatat po bllokohen nga fryma e deformuar e zgjerimit

23/06/2022

Rama me Vuçiç e Kovaçevskin pas Samitit të BE: Negociatat po bllokohen nga fryma e deformuar e zgjerimit

Pas përfundimeve të punimeve të Samiti të BE, Kryeministri Edi Rama, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku nuk e fshehën zhgënjimin për mos-hapjen e negociatave për Tiranën dhe Shkupin.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama, teksa e konsideroi Bullgarinë “një fatkeqësi”, u shpreh se nuk është vetë ajo pengesë për nisjen e negociatave për Tiranën dhe Shkupin, por fryma e deformuar e zgjerimit.

Për kryeministrin Rama, fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti te marrja peng e shteteve individuale, referuar vetos bullgare.

Më lini të shpreh keqardhje thellë për BE. Më vjen keq për ta dhe shpresoj të mund t’i ndihmojmë. U përpoqa të them disa gjëra në takim dhe do ndaj me ju disa prej tyre. Ne kemi shumë për të bërë dhe nga njëra mendoj që ne kemi bërë dhe bëmë për të mbështetur idenë e Presidentit francez për objektiv që është komiteti i ri europian. Ne do vazhdojmë rrugëtimin me shpresën që shekullin tjetër do jemi anëtar, duke u përballur me një Bullgari atje e një këtu. Tema kryesore ishte Maqedonia e Veriut. Ishte Maqedonia njëherë e një kohë dhe 17 vite më pas është ende në pritje si kandidate, ndryshoi edhe emrin, por nuk bëri dallim. Imagjinoni Francën të ndryshojë emrin për t’u futur në BE. Arsyeja nuk është thjeshtë Bullgaria, Bullgaria është një fatkeqësi, por arsyeja është fryma e deformuar e zgjerimit dhe Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj. Fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti te marrja peng e shteteve individuale”, tha Rama. 

Kreu i qeverisë shqiptare shtoi po ashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ringjallin frymën europiane përmes “Ballkanit të Hapur”.

Ne nuk do të presim ‘Godonë’, më vinte kaq keq për ca njerëz optimistë dje që nisën të shkruanin në Twitter, po ja dalim. Jo nuk erdha këtu me këtë ide se do të ndodhte diçka ndryshe. BE thotë se askush të mos lëvizë. Ne kemi lëvizur e vazhdojmë të lëvizim për të ringjallur këtë frymë të Evropës, për pjesën tonë që është Procesi i Berlinit dhe nisma e Ballkanit të Hapur është nisma që kemi ndërmarrë është Ballkani i Hapur që e jetësojnë këtë proces”, tha Rama.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç u shpreh se ky Samit nuk prodhoi asnjë rezultat pozitiv sa i përket çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, apo dhënien e statusit kandidat Bosnje-Hercegovinës, ndërsa për Serbinë, sipas tij, pati vetëm kritika në lidhje me marrëdhëniet e vendit me Rusinë. 

Ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Serbia ishte mbështetëse për çeljen e procesit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por asgjë nuk ndodhi. Miqtë tanë nga Shkupi dhe Tirana e meritonin dhe mendoj se duhet ta marrin sa më shpejt të mundur. Nuk është formale, por e nevojshme sepse kanë bërë gjithçka në përputhje me rregulloret. Qytetarët shqiptare dhe maqedonas e meritojnë këtë. Dua të them diçka që do konfirmojë rrugëtimin tonë në BE, nëse bëhet një analizë mund të shihet që Serbia ka rritur shkëmbimet tregtare me BE, s’do e besoni. Mund ta imagjinoni sa e madhe është kjo për një vend të vogël sa është Serbia”, tha Vuçiç.

Me tone të ashpra foli edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili u shpreh se vendi i tij ka 18 vite që pret të anëtarësohet në BE. Ai u shpreh se është koha që BE të përmbushë premtimet, përpara se të vendosë të tjera kushte për vendet, teksa theksoi se kushtet historike të Maqedonisë së Veriut, nuk mund të jenë pjesë e ngociatave me Bullgarinë.

Agresioni rus në Ukrainë është një kërcënim për të gjithë. Ne jemi sot në samit dhe shprehëm pakënaqësi për procesin e negociatave. Ka 18 vite që jemi kandidate, e kemi nënshkruan MSA 20 vite më parë. Jemi sot këtu dhe ende nuk kanë nisur negociata. Është goditje e besueshmërisë së BE. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk  mund të jetë i ngecur në këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë çështjet dypalëshe të shndërrohen në problem shumëpalësh. Njihemi si vend i angazhuar për gjetjen e zgjidhjeve. U jemi dedikuar fort reformave për të europianizuar vendin. Është koha që BE të përmbushë premtimet para se të kërkojë të tjera gjëra”, u shpreh ai.

27 liderët e BE u mblodhën sot në Samitin në Bruksel, por pa prodhuar asnjë rezultat pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpresat ishin të vogla edhe para Samitit, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi që në nisje se nuk kishte pritshmëri.

/rtsh.al/