RTSH 24 Live

Politikë

Forumi i Menaxhimit të Burimeve Ujore, Balluku: EU4Rivers vjen në momentin e duhur

26/04/2024

Forumi i Menaxhimit të Burimeve Ujore, Balluku: EU4Rivers vjen në momentin e duhur

Menaxhimi i ujërave është një prej kushteve që Bashkimi Evropian i ka  vendosur Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe vendi ynë ka maturinë e duhur për të punuar me këto kërkesa,  për të  arritur nivelin e BE. Kështu u shpreh në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila vuri në dukje se programi EU4Rivers vjen në momentin e duhur.

Kemi kuptuar, sidomos 5 vitet e fundit, se padyshim bashkëpunimi i ngushtë me BE është një kyç suksesi për të forcuar sektorët tanë, sidomos një sektor kaq thelbësor siç është sektori i ujit, duke përfshirë këtu nga mbrojtja e lumenjve, burimeve natyrore, përdorimi i tyre me eficiencë. Sot flasim për çështje esenciale që kanë të bëjnë me detyrimin tonë si qeveri për të ofruar shërbime bazike, siç është uji i pijshëm. Por nga ana tjetër jemi edhe shumë të kujdesshëm se cilat burime do të përdorim për të ofruar këto shërbime. Programi EU4Rivers vjen në momentin e duhur kur shtetit tonë do t’i duhet të përafrojë një sërë ligjesh për t’i sjellë në të njëjtin nivel ato europiane”, tha ministrja.

Ajo siguroi se ky projekt do të ndiqet me rigorozitet nga Shqipëria dhe do ta përmbushë atë sipas standardeve të kërkuara. Ujërat e pastra janë një objektiv i asistencës së BE-së për Shqipërinë dhe prej vitesh.

“Një instrument i rëndësishëm drejt përmirësimit të menaxhimit të ujërave në vendin tonë. Deri më tani jemi fokusuar në përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, ndërkohë që sfidë tashmë mbetet zbatimi i këtyre standardeve, ku eksperienca, udhëzimet dhe ekspertiza e partnerëve europianë janë shumë të çmuara. Qeveria Shqiptare është plotësisht e angazhuar në këtë proces kaq të rëndësishëm”, u shpreh Balluku.

/rtsh.al/