RTSH 24 Live

Politikë

Opozita sërish protestë, Policia: Nga ora 09:30 bllokim të përkohshëm të mjeteve në bulevardin pranë Bashkisë

07/05/2024

Opozita sërish protestë, Policia: Nga ora 09:30 bllokim të përkohshëm të mjeteve në bulevardin pranë Bashkisë

Opozita do të ngrihet sërish në protestë këtë të martë (7 maj) për të kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Protesta që do të mbahet sot është e 6-ta që zhvillon opozita para Bashkisë. Rithemelimi dhe Partia e Lirisë kërkojë dorëheqjen e Veliajt pas arrestimit të 3 ish-drejtorëve të Bashkisë Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe.

Në protestat e shkuara, protestuesit kanë hedhur molotov para derës së Bashkisë dhe janë përplasur me policinë, duke tentuar hyrjen në institucion.

Në kuadër të garantimit të rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të protestës, Policia e Shtetit ka marrë masa organizative dhe operacionale.

Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye, Policia ka sugjeruar që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/