RTSH 24 Live

Aktualitet

Marrëveshja RTSH-AIDSSH, më shumë akses te dosjet dhe më tepër informim të publikut

26/04/2024

Marrëveshja RTSH-AIDSSH, më shumë akses te dosjet dhe më tepër informim të publikut

Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) dhe Autoriteti mbi Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për projekte të përbashkëta, me fokus mbajtjen gjallë të kujtesës kolektive.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza, dhe nga Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula. Falë bashkëpunimit të ri, RTSH-ja do të sigurojë materiale të bollshme arkivore të ish-Sigurimit të periudhave 1945–1990 për të pasuruar kështu grilën e vet programore.

"Kjo marrëveshje pasuron autoritetin me një partner të pazëvendësueshëm, siç është Televizioni Publik Shqiptar. Televizioni Publik, me shumë kanale të komunikimit, sidomos me RTSH Shkollë, na krijon mundësi më të madhe për të jetësuar planet për një platformë për mësimin e historisë, për të gjitha moshat, përmes filtrave profesionalë apo metodave bashkëkohore dhe me një gjuhë që fëmijët dhe mësuesit do ta pëlqejnë," u shpreh znj. Sula.

Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së dhe kryetarja e Autoritetit vizituan mjediset e arkivit, ku mbahen dosje të periudhave të ndryshme, tashmë të aksesueshme për qytetarët e interesuar apo për studiuesit.

Gazetar: Marjo Merhori

/rtsh.al/