RTSH 24 Live

Rajon

Takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon financimin e strukturave paralele, Lajçak me propozim të ri

26/04/2024

Takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon financimin e strukturave paralele, Lajçak me propozim të ri

Kosovë-Serbi zhvilluan një ditë më parë raundin e pestë të takimeve në Bruksel për rregulloren e BQK-së.

Zv.kryeministri Besnik Bislimi dha detaje nga takimi me kryenegociatorin Petar Petkoviq dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, ku bëri me dije se nga pala serbe u bënë deklarata shqetësuese.

Bislimi theksoi se përsa kohë mes tij dhe Petkoviq nuk u arrit asnjë dakordësi, Lajçak ka bërë një propozimn të ri për të cilin ptë dy palët do duhet të japin komentet e tyre ditët në vijim.

 “Për shembull sot për herë të parë ne kemi parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si ata e shohin procesin e krijimit të asociacionit, përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Po ashtu vazhdoi loja e vjetër me tendenca që të sigurohen metoda përmes të cilave do të merrnin garancione për licensimin e institucioneve ilegale siç është “Postanska Banka” në Kosovë. Duke parë se qëndrimet nuk po mund të afrohen, pas disa orëve bisedime, Lajçak duke respektuar linjat e kuqe të palëve, ka dalë me një propozim të ri, e i cili pak a shumë do të duhej të ishte propozimi i fundit që del nga z. Lajçak dhe në të cilin ne duhet të japim komentet tona gjatë ditëve në vijim”, tha Bislimi për RTK.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Bislmi, e për të cilin ky i fundit thotë se nuk ka gjetur as mbështetjen e Lajçak, ishte pretendimi nga pala e Beogradit për financimin e strukturave paralele serbe në Kosovë derisa në momentin e themelimit të asociacionit.

Një prej problemeve i cili është diskutuar në javët e kaluara është si të mundësohet financimi edhe më tej i shkollave dhe ambulancave të cilat operojnë në katër komunat në veri e në komunat tjera, por sot pala serbe ka kërkuar që të financohen çfarëdo strukture paralele e Serbisë, por pa dashur të tregojë se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë, dhe ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin”, theksoi Bislimi.

/rtsh.al/