RTSH 24 Live

Rajon

Anija “Lissus” shpëton nga mbytja 36 emigrantë në Detin Egje

02/05/2024

Anija “Lissus” shpëton nga mbytja 36 emigrantë në Detin Egje

Anija ”Lissus” shpëtoi 36 emigrantë, mes tyre edhe fëmijë, me kombësi të ndryshme, që rrezikonin të mbyteshin, njoftoi Forca Detare Shqiptare.

Sipas saj, ngjarja ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës kur anija “Lissus”, e cila ndodhet me mision në kuadër të NATO-s, ndihmoi në finalizimin me sukses të operacionit të kërkim-shpëtimit në Detin Egje.

Operacioni u zhvillua për t’i dhënë ndihmë emigrantëve të paligjshëm të cilët lundronin me një mjet të tipit gomone ishin nisur nga Turqia me destinacion Greqinë. 

Pas koordinimit të anijes “Lissus” me Rojat Bregdetare të Greqisë dhe Turqisë, u bë i mundur shpëtimi i 36 emigrantëve, mes tyre edhe fëmijë. Ata ishin me kombësi nga Sudani, Liberia dhe Jemeni.

Emigrantët, 18 meshkuj, 14 femra dhe 4 fëmijë në gjendje të mirë shëndetësore, u morën nga Roja Bregdetare Turke për vazhdimin e procedurave të mëtejshme.

/ rtsh.al /