RTSH 24 Live

Euro 2024

Bulku: Ta harrojmë Italinë, gati për Kroacinë. Kemi 3 muaj që e studiojmë

17/06/2024

Bulku: Ta harrojmë Italinë, gati për Kroacinë. Kemi 3 muaj që e studiojmë

Zëvendëstrajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Ervin Bulku ka deklaruar se kuqezinjtë po përgatiten për ndeshjen e 19 qershorit ndaj Kroacisë.

Duke folur në një intervistë për RTSH-në në emisionin “Europiani3D”, Bulku theksoi se humbja me Italinë erdhi edhe si pasojë e mungesës së eksperiencës së kombëtares shqiptare në kompeticione të tillë pavarësisht se kjo është hera e dytë që Shqipëria merr pjesë në Kampionatin Evropian.

Unë mendoj se kjo ka bëjë me eksperiencën në këto kompeticione. Është hera e dytë që marrim pjesë. Duke parë moshën e re të lojtarëve tanë edhe kjo mund të ndikojë. Mendoj se ndeshja ka qenë në përgjithësi e mirë, të mos harrojmë që kishim përballë kampionët e Europës. Po të ishim pak me fat mund të kishim barazuar. Çunat janë 100 për qind në gjendje fizike. Janë të gjithë të gatshëm për ndeshjen me Kroacinë. Asani ka marrë një goditje në ndeshje, por sipas stafit mjekësor është një shqetësim i vogël, nuk besoj se do të jetë shqetësim për ndeshjen e ardhshme”, u shpreh Bulku.

Zëvendëstrajneri vuri në dukje se atmosfera mes kuqezinjve “është shumë e mirë. Duhet ta harrojmë sa më shpejt Italinë sepse futbolli i tillë është dhe kompeticionet të tilla janë. Nuk ka kohë të mendosh për ndeshjen që iku”  

Sa i përket ndeshjes me Kroacinë, Bulku shpjegoi se kuqezinjtë kanë tre muaj që e studiojnë skuadrën kroate, si dhe sfidën e fundit që ata zhvilluan me Spanjën.

Kemi 3 muaj që e studiojmë Kroacinë, natyrisht si të gjitha skuadrat e tjera. Por tani në detaje duke parë edhe ndeshjen e fundit me Spanjën. Të mos harrojmë që është një skuadër me eksperiencë dhe ka lojtarë cilësorë. Është një skuadër më e mirë teknikisht se Italia. Bashkë me çunat do të mundohemi që të bëjmë më të mirën për të arritur një rezultat pozitiv për të shkuar më tej”, tha Bulku.

/rtsh.al/