RTSH 24 Live

Kulturë

Bukuri natyrore dhe monumente historike, Libohova tërheq 12 mijë turistë, vizitorë ditorë

19/09/2023

Bukuri natyrore dhe monumente historike, Libohova tërheq 12 mijë turistë, vizitorë ditorë

Nëse disa vite më parë ishte e paimagjinueshme të flitej për turizëm në Libohovë , sot  ky qytet po tërheq mjaft vizitorë vendas e të hua në çdo stinë të vitit. Kjo falë edhe investimeve publike dhe krijimit të një perspektive të qartë për zhvillimin e turizmit. I ndodhur në juglindje të Gjirokastër vetëm 17 km larg saj , Libohova është një qytet me një bukuri natyrore magjepsëse dhe monumente me vlera kulturore dhe historike.  Sipas kryetarit të Bashkisë Leonard Hide, janë rreth 12 mijë vizitorë vendas dhe të huaj që janë njohur me historinë, kulturën, traditën dhe kanë shijuar kulinarin e tij, gjatë këtij sezoni turistik.

Gjatë këtij sezoni Libohova dhe fshatrat përreth janë vizituar me rreth 12 mijë vizitor. Është vërtet një qytet i vogël por ka shumë vende për të vizituar. Kemi kalanë e Libohovës, kulla e Sahatit, rrapi shekullor, Sarajet e Myfit Bej Libohovës”, thotë kryetarit të Bashkisë Leonard Hide.

 Edhe pse vizitorët janë ditorë në këtë qytet, kjo edhe për mungesën e shtretërve , qyteti i Libohovës po njeh rritje vit pas viti në turizëm. I ndërgjegjshëm për nevojën e më shumë investimeve në këtë qytet , z. Hide na tregon se janë duke punuar me projekte të reja  për të tërhequr më shumë investime e për pasojë më shumë vizitorë.

Në territorin e bashkisë Libohovë kemi rreth 120 shtretër akomodues. Por kemi nevoje për më shumë vende akomodimi”, thotë Leonard Hide

Edhe pse e vogël në numër banorësh, Libohova mbetet një qytet me shumë histori, traditë, kulturë dhe vendlindja e shumë emrave të njohur të historisë dhe kulturës kombëtare.

Gazetare M. Mëhilli

/RTSH/