RTSH 24 Live

Politikë

Berisha bën thirrje: Të bashkohemi për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri 

20/07/2024

Berisha bën thirrje: Të bashkohemi për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri 

Kreu i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje përkrahësve të tij, por edhe më gjerë të bashkohen për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri. Duke folur të shtunën përpara protestuesve kundër arrestimit politik të tij, ndërsa gjendet në arrest shtëpiak, zoti Berisha theksoi se të mirat e Shqipërisë duhet të shndërrohen në të mira për çdo qytetar të këtij vendi dhe jo në parajsë për klanet kriminale të Edi Ramës, trafikantët dhe bandat e drogës, ministrat dhe familjarët e tij të pangopur.

"Të bashkohemi për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri. Shqipëria me të mirat e saj duhet të gëzojë çdo shqiptar" tha zoti Berisha. "Le të jetë pra miq motoja e bashkimit tonë, për kauzën tonë të drejtë, motoja e ndryshimit, e qeverisë teknike, e zgjedhjeve të lira" tha ai.

Pak më shumë se një vit më parë ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh kundër rritjes së pagave të deputetëve dhe ministrave. Në parlament Berisha tha se ligji i qeverisë ishte një mashtrim, pasi dyfishoi rrogat e deputetëve dhe uli me 1% rrogat e mësuesve, policëve dhe ushtarakëve.

/ rtsh.al /