RTSH 24 Live

Politikë

Beqiri: Dosja "Berisha" është përgatitur para administratës Trump

13/11/2024

Beqiri: Dosja "Berisha" është përgatitur para administratës Trump

Zgjedhja e Donald Trump sërish në krye të SHBA është parë me optimizëm nga Partia Demokratike në vendin tonë, por për avokatin Idajet Beqiri po përdoret nga kryedemokrati Sali Berisha për t’i dhënë shpresë ndjekësve të tij.

Në studion e emisionit “3D” në RTSH, Beqiri tha se non-grata e vendosur ndaj Berishës nga SHBA nuk mund të hiqet nga administrata e Trump. Ai argumentoi se dosja ndaj ish-kryeministrit nuk u përgatit gjatë presidencës së Joe Biden, por shumë më përpara, edhe përpara  presidencës së Trump.

 “Rreth Berishës kanë mbetur vetëm bashkëpunëtorë të tij në krime, fanatikët dhe ata janë bërë grusht bashkuar rreth tij tashmë dhe duan me çdo kusht ta kenë strehë mbrojtëse këtë PD që u ka ngelur nën petkun e të qenit opozitë dhe sido të jetë problemi, gjërat edhe motivohen se mund të thuash që për motive politike po goditet opozita. Ai po mundohet të japi pak ‘karburant’ njerëzve duke i thënë që ‘mbahuni fort se non grata ime do hiqet , me ardhjen e Trump do ketë ndryshime të mëdha dhe unë jam i Trump etj..’ Shqiptarët e dinë që non gratën Berishës ja dha Trump. Që të përgatitet një dosje, edhe në Shqipëri ka ca afate kohore që të formësohet në dosje dhe ajo dosje u formësua në DASH kur ishte president Trump dhe Biden me Blinken i vuri vetëm vulën sepse ajo dosje ishte  e mbushur dhe jo vetëm me korrupsionin që Berisha ka bërë në këtë vend, por probleme madhore. Çështja Berisha është çështje e interesave të larta kombëtare e SHBA”, tha Beqiri.

/rtsh.al/