Presidenti, Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me homologun zviceran, Alan Berse (Alain Berset).
Në takim Begaj bën me dije se u vlerësua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh vendosmëria për forcimin e mëtejshëm të tyre, si dhe thellimin e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
'Komuniteti shqiptar në Zvicër është një urë lidhëse e fortë mes dy shteteve tona. Komuniteti shqiptar në Zvicër shërben si një urë e fortë lidhëse mes dy shteteve. Jemi të përkushtuar për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet tona”, nënvizon Begaj.
Presidenti i Republikës falenderoi homologun zviceran për ndihmën e vazhdueshme dhe mbështetjen thelbësore të Zvicrës në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në vendin tonë, në sektorin e energjisë, turizmit, shëndetësisë, në të cilën Zvicra renditet si donatori kryesor, duke ndihmuar në përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe në hartimin e strategjisë kombëtarë për kujdesin parësor shëndetësor.
Gjithashtu, Begaj shprehu falenderime për nënshkrimin mes dy vendeve të Marrëveshjes për Sigurimet Sociale.
Presidenti, Bajram Begaj mori pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm ku theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm është garancia jonë më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti.
/rtsh.al/