RTSH 24 Live

Politikë

Begaj në Nju-Jork: Zhvillimi i qëndrueshëm, garanci për një botë me paqe dhe stabilitet

19/09/2023

Begaj në Nju-Jork: Zhvillimi i qëndrueshëm, garanci për një botë me paqe dhe stabilitet

Zhvillimi i qëndrueshëm është garancia jonë më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti. Kjo u theksua nga Presidenti shqiptar Bajram Begaj gjatë fjalës se tij Samitin  për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, takim ky i  nivelit të lartë, që i paraprin nisjes së Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Presidenti Begaj u ndal në hapat e ndërmarra nga vendi ynë në kontekstin e zbatimit të objektivave të qëndrueshme.

Shqipëria është në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar, duke përqafuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe transformuese që përfshin zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor. Zbatimi i agjendës së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm nuk është vetëm një prioritet; është një përpjekje kombëtare kolektive ku janë angazhuar të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë shoqërinë civile”, u shpreh Begaj.

Presidenti Begaj tha se duhen intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë një shtysë implementimit të Axhendës 2030 pas ndikimit të pandemisë, agresionit rus kundër Ukrainës dhe një sërë faktorësh të tjerë, që ndikuan në ngadalësimin e këtij procesi.

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyesi ynë universal, i pandashëm dhe i integruar, duke udhëhequr vizionin dhe aspiratat tona për vitet në vijim”, tha Begaj.

Presidenti i Republikës mori pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm  i ftuar  Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së.

Gazetare: Amela Koçerri

/RTSH/