RTSH 24 Live

Aktualitet

Begaj takim on-line me ushtarakët shqiptar me misione në botë: Ambasadorë të paqes

01/01/2025

Begaj takim on-line me ushtarakët shqiptar me misione në botë: Ambasadorë të paqes

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në orët e para të vitit 2025, ka zhvilluar një takim on-line me efektivët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqiërisë, që janë me misione dhe operacione ushtarake jashtë vendit.

Në njoftimin për shtyp, bëhet e ditur se Presidenti i Republikës, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i FA-së, ka theksuar faktin se Shqipëria vërtetë është një vend i vogël, por ka kontribute të mëdha për paqen dhe sigurinë.

“Vetë prezenca dhe shërbimi juaj, nga Kosova, në Bosnjë, nga Bullgaria, Letonia, Deti Egje, Irak, Sinai dhe deri në Sudanin e Jugut, është dëshmi e qartë e angazhimit dhe përkushtimit të vendit tonë ndaj paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por në mbarë botën.”, ka theksuar Presidenti në fjalën e tij.

Presidenti i ka vlerësuar efektivët e FARSH si ambasadorët më të mirë dhe, falë shërbimit të tyre, “flamuri kombëtar që ne pamë të valëvitet kudo me krenari përkrah flamujve të tjerë të NATO-s.”

Sipas Presientit, në kohën kur agresioni Rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar tërësisht mjedisin e sigurisë është detyrim mbështetja për të gjithë ushtarakët dhe familjarët e tyre.

“Agresioni Rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar tërësisht mjedisin e sigurisë. Kërcënimet e vjetra dhe të reja parashikojnë dhe parashtrojnë domosdoshmërinë e zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Gjatë vitin 2024, në bisedat që kam bërë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe me Ministrin e Mbrojtjes, jam informuar se buxheti i mbrojtjes është rritur dhe po kështu është rritur edhe ajo që është më e rëndësishme, mbështetja për ushtarakët. Unë besoj se është detyrim mbështetja për të gjithë ushtarakët dhe familjarët e tyre.”, ka theksuar Presidenti.

Sipas tij, dinamika gjeopolitike kërkon rritjen e kontributeve të Shqipërisë në NATO dhe forcimin e solidaritetit.

“Shqipëria do të vazhdojë të jetë kontributore aktive me pjesëmarrjen e saj në misione dhe operacione kudo ku të kërkohet dhe sa herë të kërkohet.”, ka theksuar Presidenti Begaj.

/rtsh.al/