RTSH 24 Live

Kosovë

BE: Ruajtja e paqes dhe siguria, prioritet. “Veriu” të zgjidhet me konsensus

26/05/2023

BE: Ruajtja e paqes dhe siguria, prioritet. “Veriu” të zgjidhet me konsensus

Bashkimi Evropian ka reaguar pas tensioneve në veri të Kosovës ku mbetën të plagosur pesë efektivë policie në përballjen me protestuesit serbë.

Përmes zëdhënësit Peter Stano, Bashkimi Evropian thekson se zgjidhja politike afatgjatë për komunat e veriut mund të gjendet vetëm përmes dialogut real me përfshijen e të gjitha palëve, Prishtinën, Beogradin dhe komunitetin serb.

 “Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t'i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore.

Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të qetësuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet.

Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira.

Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së", ka deklaruar Stano.

/rtsh.al/