RTSH 24 Live

Politikë

Berisha-Ramës: Do përgjigjesh që me le në arrest shtëpie. Krijo qeverinë teknike

27/11/2024

Berisha-Ramës: Do përgjigjesh që me le në arrest shtëpie. Krijo qeverinë teknike

Pak pasi GJKKO-ja i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shkuar në selinë blu i pritur nga qindra mbështetës.

Në fjalën e tij për mediet, Berisha deklaroi se "piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane mori goditjen më fatale".

Ai u shpreh se veprimi do jetë kryefjalë e tij dhe e opozitës nga sot.

Berisha e konsideroi vendimin e GJKKO-së, si ditë fitore jo vetëm për të dhe opozitarët, por për gjithë shqiptarët, pasi sikurse shprehet ai, “ka fituar e vërteta, ligji dhe Kushtetuta, Shqipëria.”

U krye dhe kjo punë! Piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane pas Luftës së dytë botërore mori goditjen fatale.

Sot Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë. Sot është dita kur mostrat e demokracisë Rama dhe Soros dështuan përfundimisht, në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën me grushtin e shtetit që i bën asaj.

Sot ne së bashku sakrifica e 330 ditëve mundi i 3 viteve triumfoi dhe u shpërblye.

Sot është ditë e mirë për shqiptarët, për opozitarët, një ditë shprese.

Por sot, është ditë e mirë dhe për ata që s’janë opozitarë dhe për kundërshtarët e opozitës sepse sot ka fituar e vërteta, ligji dhe Kushtetuta, Shqipëria. Këtë vit unë kam thyer rekordin tim për numrin e fjalimeve 330 të tilla. Tani e tutje veprimi do jetë kryefjala e Sali Berishës. Ka ende disa mesazhe të rëndësishme që dua t’ua them shqiptarëve. Kauza e drejtë nuk humbet kurrë”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se do japë llogari për grushtin e shtetit që i bëri opozitës dhe për 11 muajt që lideri opozitës vuajti masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Berisha bëri thirrje për krijimin e qeverisë teknike, ndërsa garantoi se mosbindja civile do të vijojë aksionin e saj.

Shqipëria duhet të jetë vendi i shpresës, dhe jo i krimit e narkotrafikut. Kjo fitore ka rëndësi edhe për ata që vijnë pas nesh, për të ardhmen. Kjo arritje do u shërbejë brezave të ardhshëm si trashëgimi e vyer, si burim inspirimi, do u japë dritë atyre në momente të zeza.

autori kryesor i grushtit të shtetit, Edi Rama. Krijo qeverinë teknike. Mos e zvarrit kot narko pushtetin tënd. Se vetë zoti e ka thënë: që të kthehem unë, pastroni shtëpinë. Ne do pastrojmë shtëpitë tona.

Mosbindja civile është gati në radhë. Këta shqiptarë duan përgjigje nga ty, sepse piramida jote  e mashtrimit, sot u shkërrmoq. Do përgjigjesh si puçis për grushtin e shtetit që i bëre opozitës. Do përgjigjesh për atentatin që organizove kundër liderit të opozitës, për 2 vite që grabite flamurin e PD, për një vit që le liderin e opozitës në arrest shtëpie. Ke vetëm një rrugë: qeveri teknike”, u shpreh Berisha.

Berisha ka mbërritur në selinë blu pas rreth 11 muajsh në “arrest shtëpie”.

Ditën e sotme Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi të hiqte çdo masë sigurie ndaj Berishës. Lajmin e komunikoi fillimisht avokati i tij, Genc Gjokutaj i cili u shpreh se nga sot Sali Berisha është i lirë.

/rtsh.al/