RTSH 24 Live

Politikë

Hasani: Ka nevojë për veprim dhe bashkëpunim kolektiv mes Ballkanit dhe Bashkimit Evropian

27/11/2024

Hasani: Ka nevojë për veprim dhe bashkëpunim kolektiv mes Ballkanit dhe Bashkimit Evropian

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në edicionin e 10-të të Konferencës Ndërkombëtare “Dialogu i Mesdheut 2024” që u mbajt në Romë, ku u diskutua mbi rolin kyç të Ballkanit Perëndimor në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Mesdheut.

Në panelin “Roli i Ballkanit Perëndimor në Sigurinë e Mesdheut”, ministri Hasani theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe energjetik mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Hasani gjithashtu theksoi se procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane, përfshirë edhe në kuadër të politikave të sigurisë dhe mbrojtjes, është një hap thelbësor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Gjatë dekadës së fundit, Ballkani Perëndimor ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis Evropës dhe rajonit të Mesdheut. Përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe angazhimit të përbashkët në nismat e sigurisë, mund të ndihmojmë në stabilizimin e rajonit dhe në mbështetje të qëndrueshmërisë afatgjatë të Mesdheut,” u shpreh ministri Hasani në fjalën e tij.

Ndërsa në një postim në rrjetet sociale Hasani shkruan: "Sot në Dialogun për Mesdheun - Romë, rikonfirmova angazhimin e Shqipërisë për dialogun, bashkëpunimin dhe një Mesdhe të sigurt e të qëndrueshëm. Theksova nevojën për veprim kolektiv mes rajonit dhe Bashkimit Evropian, për të forcuar bashkëpunimin për çështje kritike, si siguria e energjisë dhe zhvillimi ekonomik, veçanërisht në dritën e presioneve të migracionit dhe tensioneve gjeopolitike. Falënderoj homologun tim Antonio Tajani për drejtimin e këtij diskutimi të rëndësishëm mbi sfidat tona të përbashkëta në Mesdhe, një udhëkryq qytetërimesh që mund të bëhet një model elasticiteti dhe përparimi."

Në takimin e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, mori pjesë kryeministrja e Italisë si dhe kryediplomatë, ekspertë dhe analistë nga vende të ndryshme, për të adresuar sfidat më të mëdha me të cilat përballen vendet e Mesdheut.

/rtsha.al/