RTSH 24 Live

Sociale

Bashkëpunim për trajnimin e mësuesve të gjuhës angleze

19/10/2021

Bashkëpunim për trajnimin e mësuesve të gjuhës angleze

Korpusi i Paqes në Shqipëri prej vitesh tashmë ka pasur një bashkëpunim shumë efektiv me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi priti në një takim drejtoreshën e Korpusit të Paqes për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Megan Wilson si dhe përfaqësues të tjerë, me të cilët diskutoi mbi zgjerimin e këtij bashkëpunimi në disa nga fushat që MAS ka në fokus.

Kushi shprehet se ndër temat në fokus janë trajnimi i mësuesve të rinj dhe rrjetit profesional të mësuesve të gjuhës angleze, veçanërisht mësuesit e klasës së parë dhe hartimi i moduleve të trajnimit për këta mësues për të zhvilluar mësim sa më cilësor.

Po ashtu, vijon Kushi, në fokus të këtij bashkëpunimi janë edhe zhvillimi i aktiviteteve të ndryshme në kuadër të shkollave ‘qendër komunitare’ dhe mbështetja ndaj të rinjve në universitete për të mësuar gjuhën angleze.

Në 1991, qeveria shqiptare ftoi SHBA-në të vendosi një program të Korpusit të Paqes në vendin tonë. Grupi i parë i vullnetarëve arriti në Shqipëri në 1992, të angazhuar në mësimdhënien e gjuhës Angleze në shkolla te ciklit të dytë dhe në universitete. Përgjatë pesë viteve të para deri në 1997, 166 vullnetarë të Korpusit të Paqes shërbyen në vende të ndryshme të Shqipërisë. SHBA i largoi të gjithë vullnetarët e tij në 1997 për shkak të shqetësimeve të shkaktuara nga trazirat civile që Shqipëria po kalonte në atë kohë. Në 2002 qeveria shqiptare i kërkoi SHBA-së të rivendoste programin e Korpusit të Paqes.

Që nga shtatori i 2003, 705 vullnetarë kanë ardhur të punojnë me qeveri lokale, OJQ, shkolla dhe institucione të shëndetësisë duke u bazuar në 3 fusha projektesh: zhvillimi organizativ dhe i komunitetit, edukimi shëndetësor dhe mësimdhënia e gjuhës angleze.