RTSH 24 Live

Politikë

Basha: Sistemi politik ka degraduar, duhet ndryshim rrënjësor në politikbërjen e vendit

25/05/2023

Basha: Sistemi politik ka degraduar, duhet ndryshim rrënjësor në politikbërjen e vendit

Pasi la të hapur mundësinë për të kandiduar si kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vendosur edhe një herë fokusin në degradimin e politikës.

Pas takimit që zhvilloi dje (24 maj) me të rinjtë, Lulzim Basha ka risjellë një pjesë të diskutimit të tij, si një përgjigje edhe ndaj sulmeve që iu bënë pas lënies së mundësisë së hapur se mund të garojë për kreun e PD.

Duke theksuar se kjo kohë shkëputje i shërbeu si reflektim për të parë degradimin e politikës në vend, Basha tha se teatri politik duhet të marr fund dhe se vëmendja duhet të jetë në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

“Kjo kohë reflektimi më shërbeu të shihja edhe më qartë sesi ky sistem politik ka degraduar në një shfaqje që ka në qendër hallet e politikanëve, jo problemet e qytetarëve. Sherret, akuzat dhe baltosja nuk mund të jenë përgjigjja për sfidat e mëdha që ka Shqipëria. Më shumë se 70% të qytetarëve e ka refuzuar këtë teatër politik, që nuk ka asnjë zgjidhje për familjet shqiptare. Kjo shumicë e heshtur kërkon një ndryshim rrënjësor në politik-bërjen e vendit, një ndryshim që patjetër mund ta sjellim të gjithë bashkë”, ka shkruar Basha në facebook.

Pas dorëheqjes së tij si kryetar i PD, “rikthimi” i Lulëzim Bashës në skenë politike nuk është mirëpritur nga Sali Berisha, i cili e tha se “Basha po përdoret nga kryeministri Edi Rama”.

Vetë Basha i cilësoi këto deklarata si mënyrë të Berishës për të kërkuar armiq dhe të heq vëmendjen nga dështimin që mbolli në zgjedhjet e 14 majit.

/rtsh.al/